Dalin pamjet nga vrasja e biznesmenit në Elbasan
Mbrëmjen e së dielës, përballë karburantit të tij në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit, u ekzekutua biznesmeni Edmond Mëhalla. Pamjet tregojnë çastin kur autori i sulmit afrohet pranë automjetit Range Rover dhe hap zjarr ndaj 43-vjeçarit.
Personi i armatosur, i maskuar me kapuç, qëllon gjashtë herë drejt makinës. Dy plumba e godasin në kokë, ndërsa të tjerët në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pak më larg ndodhej një automjet Audi me portobagazh, me të cilin autori ishte afruar në vendngjarje dhe është larguar i vetëm pas sulmit. Deri tani, policia nuk ka arritur të përcaktojë identitetin e personit të armatosur.
Një tjetër pistë hetimi lidhet me mjetin që u gjet i djegur në Mirakë të Librazhdit, i cili rezulton të jetë marrë në Tiranë një ditë para ngjarjes. Ekziston gjithashtu një video ku shihet nxjerrja e makinës nga një garazh në zonën e “21 Dhjetorit” nga shtetasi Marsel Arani, banues në Elbasan, i cili aktualisht është shpallur në kërkim si i dyshuar në këtë ngjarje, së bashku me Armando Kolën nga Laçi. Roli i secilit në vrasje mbetet ende i paqartë.
Ndërkohë, uniformat blu kanë vënë në pranga dy persona të tjerë: Xhino Ago, 32 vjeç, ish-ortak i viktimës, i dyshuar se i ka vënë në dispozicion mjetin Marsel Aranit, si dhe Kujtim Pishën, 52 vjeç, roje në karburantin e Mëhallës, i akuzuar për moskallëzim krimi.
Arani ndodhej më parë në arrest shtëpie për një çështje tjetër penale. Sipas të dhënave të deritanishme, hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që vrasja të lidhet me një konflikt të mëparshëm mes dy ish-ortakëve, Edmond Mëhallës dhe Xhino Agës, i cili tashmë është arrestuar.
Pamjet nga TV Klan:
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



