Dhuna ndaj gazetarëve, AMA: Garantoni sigurinë e medias
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka reaguar pas raportimeve për lëndimin e gazetarëve dhe vështirësitë me të cilat janë përballur ekipet mediatike gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë.
Kryetarja e AMA-s bëri të ditur se, pas interesimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, është informuar se gazetarët e lënduar nuk ndodheshin më në ambientet spitalore. Ajo u uroi shërim të shpejtë dhe shprehu solidaritetin me të gjithë profesionistët e medias që raportuan nga terreni.
Në reagimin e saj, kryetarja e AMA-s vuri theksin te nevoja për garantimin e kushteve të sigurta për gazetarët, gazetaret dhe operatorët, veçanërisht gjatë situatave të tensionuara, kur puna e ekipeve mediatike bëhet më e vështirë.
Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë kujdes dhe përmbajtje ndaj përfaqësuesve të medias, ndërsa i kërkoi Policisë së Shtetit t’i kushtojë vëmendje të veçantë mbrojtjes së tyre gjatë raportimit.
“Gazetaret dhe gazetarët në terren kryejnë një shërbim të rëndësishëm në interes të publikut. Puna e tyre meriton respekt, mbështetje dhe mbrojtje”, theksohet në reagim.
Deklarata vjen pas raportimeve për incidente ndaj gazetarëve gjatë protestës së studentëve në kryeqytet, ku përplasjet dhe tensionet në terren kanë vështirësuar punën e ekipeve mediatike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



