Dhunohet 35-vjeçari në Lezhë, sherri nisi për një vajzë
Petrit Pepkola, 35 vjeç, është personi që u sulmua sot me mjete të forta në qytetin e Lezhës.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur pranë një pike karburanti në aksin Lezhë–Rrilë. Dyshohet se konflikti, i cili përfundoi në dhunë, mund të ketë nisur për shkak të një vajze.
Informacionet paraprake tregojnë se Pepkola është nxjerrë me forcë nga automjeti ku udhëtonte dhe është goditur disa herë me mjete të forta, përfshirë edhe shkopinj bejsbolli. Fillimisht ai është dërguar në urgjencën e spitalit të Lezhës, ku ka marrë ndihmën e parë, ndërsa më pas është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Burime nga mjekësia thonë se gjendja e 35-vjeçarit paraqitet e rënduar. Personat që kryen sulmin ende nuk janë identifikuar, ndërsa i dëmtuari në deklarimin e parë është shprehur se nuk i ka njohur autorët. Po ashtu, bëhet e ditur se Pepkola nuk rezulton i skeduar më parë nga policia. Hetuesit po verifikojnë çdo pistë të mundshme, përfshirë edhe ndonjë konflikt të fundit, si dhe kanë nisur kontrollin e kamerave të sigurisë të bizneseve pranë zonës së ngjarjes.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit
Lezhë – Informacion paraprak
Rreth orës 17:40, te “Kryqëzimi i Rrilës”, disa persona ende të paidentifikuar kanë dhunuar me mjete të forta shtetasin P. P., rreth 35 vjeç. Ai është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar dhe, sipas vlerësimit të parë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave përgjegjës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


