Dhunuan mjekun, arrestohen dy vëllezër : Ishte i dehur, i çuam nënën për vizitë, por…
Efektivët e Komisariatit të Policisë Dibër kanë arrestuar dy vëllezër pasditen e djeshme, pasi një ditë më parë kanë dhunuar fizikisht mjekun Agron Mezexhiu, 70 vjeç.
Burime pranë Drejtorisë së Policisë në Peshkopi bënë me dije se mjeku Mezexhiu kishte dalë në pension para pesë vitesh dhe kishte rënë dakord të punonte me kontratë në Spitalin Rajonal të Dibrës. Incidenti ka ndodhur në momentin kur në spital ka mbërritur për vizitë një e moshuar në gjendje të vështirë shëndetësore, e cila ishte e shoqëruar nga dy djemtë e saj.
Pasi e kanë dërguar në zyrën e mjekut nga Tirana, dy vëllezërit kanë debatuar me Agron Mezexhiun dhe më pas kanë ushtruar edhe dhunë ndaj tij. Pas kallëzimit të bërë, Policia vuri në pranga vëllezërit A.L., 43 vjeç, dhe V.L, 38 vjeç.
Nga hetimet e para ka rezultuar se dy vëllezërit kanë dërguar në spital nënën e tyre dhe në momentin e mbërritjes në spital kanë debatuar me mjekun e moshuar, për shkak të trajtimit që ky i fundit i ka bërë nënës së tyre. Dyshohet se mjeku 70- vjeçar ka qenë në gjendje të dehur dhe ka debatuar me të afërmit e pacientes.
“Mbrëmjen e së mërkurës jemi njoftuar nga Urgjenca e spitalit se dy persona kishin dhunuar njërin nga mjekët e Urgjencës. Dërguam shpejt shërbimet tona dhe konstatuam se mjeku ishte goditur me grushte e shkelma. Fillimisht, Mezexhiu ka bërë kallëzim ndaj dy shtetasve dhunues, ndërkohë dje ka kërkuar ta tërheqë denoncimin, por nuk është pranuar nga oficerët e Policisë Gjyqësore”, sqaruan zyrtarë të Drejtorisë së Policisë Dibër.
Mësohet se dje Policia lokale ka arrestuar dy vëllezërit që dhunuan mjekun dhe po punon intensivisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në deklaratën e Policisë thuhet se: “Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër u arrestua në flagrancë shtetasi: A.L, 43 vjeç, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi V.L., banues në Dibër, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në ambientet e Spitalit Rajonal Dibër, kanë goditur me grushte mjekun, shtetasin A.M.. Materialet u referuan pranë Prokurorisë Dibër për veprën penale ‘Goditje për shkak të detyrës’”, kryer në bashkëpunim.
Mjeku nga Tirana kishte vetëm pak kohë që ishte bërë pjesë e stafit mjekësor të Spitalit Rajonal Dibër, duke përfituar nga paga bonus e qeverisë. Shumë spitale në rrethe po vuajnë mungesën e mjekëve të specializuar dhe për këtë arsye, qeveria ka ndërmarrë prej disa muajsh një nismë për të inkurajuar mjekët që të mos punojnë vetëm në Tiranë. Për t’i joshur, atyre u është ofruar një pagë prej 2500 dollarësh në muaj.
Nga ana tjetër, kjo nismë ka bërë që shumë mjekë, edhe pse kanë mbushur moshën e pensionit, të vijojnë të qëndrojnë në punë. Muajt e fundit, shumë mjekë kanë rënë pre e dhunës nga pacientët apo të afërm të pacientëve. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur rregulla strikte në spitale për të mos lejuar që të afërmit e pacientëve të jenë prezentë gjatë konsultave, si një masë parandaluese ndaj dhunës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



