Lëvizja Vetëvendosje akuzon kryeministrin Rama dhe e bën atë fajtor për deklaratën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, për mundësinë e nisjes së konfliktit me Kosovën si në Nagorno-Karabakh.
Anëtarja e VV Albulena Haxhiu, problemin e sheh te delegacioni i Kosovës, që sipas saj, ka tentuar që të pastrojë figurën e Vuçiçit. Faj për këtë ajo i vë edhe kryeministri të Shqipërisë, Edi Rama.
“Delegacioni i Kosovës në negociata më Serbinë në vazhdimësi ka tentuar t’ia pastrojnë figurën Vuçiqit dhe këtu përgjegjësi ka edhe Qeveria e Shqipërisë, e sidomos kryeministri Rama. Një deklaratë prej Vuçiqit s’na befason, por problem është qasja që zgjedh Qeveria e Kosovës. Dialogu duhet të ndërpritet, ai nuk mund të udhëhiqet nga një Qeveri që s’ka legjitimitet. Për dialogun të ketë koncensues dhe nuk ka, madje as brenda subjekteve politike që janë në koalicion”, ka thënë Haxhiu.



