Kush ka shkuar qoftë dhe një herë të vetme në Durrës, ka qenë patjetër te ‘Diamma Resort’ një nga resortet më të mëdha të qytetit bregdetar.
Durrësi është dy herë i goditur, njëherë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe tanimë nga izolimi si rrjedhojë e covid 19. Është e trishtë të shohësh hapësira kaq të mëdha, me miliona euro investim, të boshatisura, pa jetë…
Ne folëm me menaxheren e këtij resorti, Romina Koçllari e cila na tregoi se çfarë ka ndodhur gjatë kësaj periudhe izolimi me prenotimet dhe nëse po bëhen gati për sezonin turistik edhe pse drita ‘jeshile’ ende nuk është dhënë nga qeveria.
Aktualisht shërbimet hoteliere futen në listën e aktiviteteve të hapura mirëpo, klientelë s’ka. Njerëzit lëvizin me fasha orare të përcaktuara dhe të gjitha rezervimet e bëra më herët nëpër resorte, janë anuluar.
Lexoni intervistën e mëposhtme për të kuptuar më shumë mbi gjendjen e turizmit bregdetar gjatë kësaj periudhe aspak të lehtë.
Çfarë ka ndodhur me Diammën gjatë kësaj periudhe izolimi, a keni pasur humbje dhe çfarë keni bërë me personat e punësuar?
E patëm të nevojshme të kalonim të gjithë 40 ditëshin e karantinës dhe të siguroheshim për shëndetin e punonjësve. Personat e punësuar janë paguar nga vetë ne pa asnjë ndihmë nga qeveria pasi e vetmja gjë që u ofrua nga shteti ishte të merrnim një kredi duke shtuar kështu borxhin e kompanisë për të paguar punonjësit tanë dhe gjithashtu kredinë në të njëjtën kohë.
Këta persona vazhdojnë të jenë ende në punë mbas periudhës së karantinës duke u marrë me punë të ndryshme (jo e zakonshmja) për t’u bërë gati për sezonin turistik, por që ende nuk kemi një përgjigje nga qeveria për vazhdimesinë e turizmit këtë vit.
Në fakt ju po kaloni një periudhë të gjatë izolimi nëse marrim edhe tërmetin e 26 nëntorit. Edhe pse duhet thënë që strehuat një pjesë të personave të prekur dhe për këtë u paguat nga qeveria. Por a mjaftoi kjo për të qenë të qendrueshëm si biznes?
Në lidhje me fatkëqësinë e tërmetit të datës 26 nëntor, strehimin e personave të dëmtuar apo të friksuar nga tërmeti, e filluam vetë nga ana jonë dy orë pasi ndodhi për t’i qenë afër klienteve, miqve apo qytetarëve të Durrësit pa ditur planin që qeveria kishte. Më pas ne u përfshimë si shumë hotele të tjera në Durrës duke bërë një kontratë me AKB. U paguam për shërbimin që ofruam.
Dhe nuk do ta quanim periudhë izolimi dhe as bamirësie deri në momentin që ne filluam të paguheshim nga shteti 10 ditë pasi ne kishim hap dyert e e hotelit dhe jo vetëm.
Masat shtrënguese mesa duket do vijojnë edhe në javët e para të majit por edhe mandej, situata nuk do jetë asnjëherë siç ka qenë. Ju frikëson ky fakt?
Po patjetër na frikëson shumë pasi muajt mars-prill-maj kanë qenë fillimi i sezonit dhe ajo që na frikëson më shumë është si do të jetë gjendja në vazhdim gjatë tre muajve të tjera. Kontratat janë anulluar nga të gjitha agjensitë. Tjetra që na frikëson duke mos patur punë edhe pse hotelet janë të hapura, duke vendosur fashat e orareve drastike për këmbësorët dhe klientët, lind pyetja se për kë do të punojmë ne? Duke mos patur punë, me çfarë do i paguajmë pagat e punonjësve?!
Keni nisur përgatitjet për sezonin dhe a e keni tashmë një ‘plan’ se si do të organizoheni në rast hapjeje?
Përgatitjet për sezonin siç e permendëm dhe më lart, kanë nisur. Nga momenti i parë që u njohëm me rregullat e reja vendosja e tavolinave dhe çadrave është bërë në një largësi të konsiderueshme nga njëra-tjetra. Kjo ka sjellë normalisht dhe pakësimin e tavolinave apo çadrave të cilat kishim një vit më parë. Masat që do të marrim do të jenë sipas rregullores së OBSH.
Tek hyrja e çdo njësie shërbimi janë vendosur pajisje dezifektimi. Stafi është i pajisur me maska doreza dhe kontroll i përditshëm i gjendjes shëndetësore, gjë kjo që na rrit koston tonë por që jemi të detyruar t’i zbatojmë në radhë të parë për shëndetin e stafit, klientëve dhe vazhdimesinë e punës tonë.
Nisur nga xhirot e vitit të kaluar, sa mund të përllogaritet humbja juaj gjatë këtyre dy muajve?
Humbja normalisht është e konsiderueshme pasi puna në hoteleri, fillon intesivisht rreth muajit mars.
Anullimet e grupeve të huaja dhe jo vetëm kanë qenë tepër të medha duke qene se ne kishim rezervime të konfirmuara për muajin mars-prill dhe maj.
Keni një mesazh për qeverinë?
Qeveria duhet të pajisë të gjitha bizneset me objekt hoteleri -restorant- bar me një rregullore të shkruar për vazhdimësine e punës së përditshme. Biznesi është i detyruar t’i zbatojë ato.
Duhet të hiqet fasha e orareve përderisa janë po këta njerëz të cilët dalin 12 orë të ditës, në mënyrë që dhe ne të punojmë. /Anta Muçaku
(Foto- Resorti krejtësisht i boshatisur)








