Dilemat tragjike në të përditshmen e shqiptarëve
Në vitin 2020, shqiptarët më shumë se kurrë, kanë prekur dilemat më tragjike dhe më therëse.
Nëse në një vend normal, pyetjet që shtrojnë qytetarët mbi ata që i udhëheqin, kanë të bëjnë me të shkuarën e tyre profesionale, në Shqipëri ndodh krejt e kundërta. Ne, shqiptarët, duhet të shtrojmë pyetje mbi të shkuarën kriminale.
Të dorëzuar si mos më keq , përballë një çmendurie, që është më e madhe se vetë çmenduria, duhet të kuptojmë, se kur gdhihemi në mëngjes, pyesim veten:
-A do të dalë apo nuk do të dalë Kryeministri i vendit fotografi në dush dhe në dhomën e gjumit sot?
-A do të na shajë Kryeministri i vendit me gishtin e mesit sot?
-A do ta nxjerrë gjuhën jashtë Kryeministri i vendit sot?
-A ka përdhunuar deputeti që po flet në foltoren e parlamentit, sot?
-A ka vrarë deputeti që na përfaqëson, sot?
-A është marrë me trafik droge dhe prostitucion, deputeti që na kërkon votën, sot?
-A di të lexojë dhe të shkruajë Kryebashkiaku ,sot?
-A do të na kërcënojë dhe do të na quajë “ shpellarë” Kryebashkiaku, sot?
– A do të mbijë një kullë tjetër në qytet, sot?
-A do të thotë ndonjë batutë filmash Ministrja e Kulturës, sot?
-A do ta trajtohet përdhunimi apo vrasja e një gruaje në Shqipëri, si skenar i zakonshëm filmi në perëndim nga kabineti qeveritar, sot?
-A do të helmohen njerëzit me gaz, sot?
-A do të na poshtërojnë, sot?
-A do të na fyejnë sot?
-A do na lënë të marrim frymë, sot?
Post Scriptum- Jemi një hap larg humnerës, në mos paçim rënë brenda saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



