Dinamika e protestës te PD-ja: Njerëzit e Sali Berishës do shkojnë me matrapikë te selia
Selia e Partisë Demokratike pritet të shndërrohet sot në një “arenë” për përballjen e demokratëve, të cilët prej 9 shtatorit kur Lulzim Basha pezulloi përkohësisht Sali Berishën nga grupi parlamentar i kësaj force politike, dukshëm janë ndarë në “dy kampe”.
Shkak ishte presioni amerikan për shpalljen e Sali Berishës dhe familjes së tij “non-grata”.
Grupi i Rithemelimit i drejtuar nga ish-kryeministri Berisha shkarkoi në Kuvendin e 11 dhjetorit Lulzim Bashën dhe të gjithë drejtuesit e institucioneve në PD. Por pavarësisht kësaj, ata kanë dështuar disa herë të marrin selinë blu, pasi me 18 dhjetor Lulzim Basha mbajti një tjetër Kuvend dhe largoi përfundimisht Berishën nga çdo post dhe vendimmarrje në PD.
Lëvizja e ashtuquajtur për revolucion dhe rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri u kthye në një lëvizje bravash.
Të gjitha dyert e PD u kyçën dhe asnjë nga mbështetësit e Berishës nuk mund të futet në seli. PD zyrtare thotë se atje po bëhen punime për të zgjeruar ambientet, ndërkohë që në media kanë rrjedhur disa foto të cilat tregojnë “fortifikimin” nga brenda të selisë blu, me dyer hekuri, dyer të blinduara dhe adezivë për të mos lejuar dukshmërinë nga jashtë.
Grupi i Rithemelimit ka akuzuar direkt Lulzim Bashën dhe ka thënë se në godinë qëndrojnë persona të armatosur.
Burime të afërta brenda këtij grupi bejne me dije se sot në orën 12.00 përpara selisë së PD do të ketë pjesëmarrje të lartë njerëzish që mbështesin ish-kryeministrin Berisha. Këto burime na konfirmuan se këta persona janë organizuar prej ditësh dhe qëllimin e kanë të qartë.
Informacionet i kanë shkuar dhe Lulzim Bashës, i cili mësohet se ka blinduar të gjitha korridoret në selinë blu. Kati i parë është lënë i lirë, ndërsa kati i dytë ku ndodhen zyrat, mes tyre dhe ajo e kryetarit, është blinduar i gjithi, shkruan newsbomb.al.
Ashtu siç kanë deklaruar prej ditësh anëtarët e Grupit të Rithemelimit dhe vetë Sali Berisha, sot demokratët do të marrin me patejtër “shtëpinë e tyre” sepse ultimatumi i lënë për Lulzim Bashën, që të lironte zyrat në 5 janar ka skaduar. Do përdoren të gjitha mjetet për një qëllim: marrjen e PD nga grupi Berisha.
Nuk dihet nëse Polilcia e Shtetit do të ndërhyjë, por e sigurt është që edhe grupi Basha do jetë në seli pasi kryetari aktual ka thirrur mbledhje me zyrtarët e lartë të PD.
Burime të sigurta për newsbomb.al kanë bërë me dije se militantët që mbështesin ish-kryeministrin Berisha do të vijnë sot në protestë të pajisur me “mjetet e nevojshme”. Disa prej tyre do të shfaqen kur të mbarojë protesta dhe do të kenë matrapikë me vete për të çarë muret, në mënyrë që të futen brenda duke shmangur dyert e hekurta.
Sipas asaj që u është komunikuar këtyre personave, administrata e PD nuk duhet të preket në asnjë mënyrë. Do të thyhen dyert e të gjitha zyrave dhe ato do të merren në “patronazhim” nga Grupi i Rithemelimit. E vetmja zyrë që është urdhëruar të mos preket është ajo e Lulzim Bashës, si mënyrë për ta lënë këtë të fundit të vetëm brenda selisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



