Diskutimi i Kryesisë së PD, ja çfarë tha Basha për 30 qershorin
Lulzim Basha do t’i propozojë Këshillit Kombëtar krijimin e një Aleance të re me qytetarët për mbrojtjen e rendit demokratik para dhe pas zgjedhjeve.
Burime të “Panorama” nga mbledhja e kryesisë së PD, konfirmojnë se kreu i PD-së, Lulzim Basha ka pohuar se 30 qershori pas dekretit të Presidentit Meta është një datë e rrëzuar për zhvillimin e zgjedhjeve vendore.
Në të njëjtën kohë, Basha ka theksuar se protestat popullore nuk do të ndalen deri në largimin e kryeministrit Rama, por nuk eshte vendosur ende nje date per nje proteste te radhes kombetare qe do te pasoje ate qe u mbajt te shtunen e kaluar para Kryeministise dhe para Kuvendit.
Burime pranë selisë blu konfirmojnë se Aleanca qytetare për mbrojtjen e Demokracisë nuk do të ketë lidhje vetëm me datën 30 qershorin sepse për demokratët kjo datë konsiderohet e rrëzuar për zhvillimin e zgjedhjeve.
Kjo Aleancë sipas tyre do të krijohet për mbrojtjen e rendit demokratik dhe kushtetues para dhe pas 30 qershorit. Sipas vendimit të dalë nga Kryesia e PD-së, Aleanca e re do të krijohet si bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë shqiptarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.
Takimi
Basha takoi dje edhe aleatët e tij të qendrës së djathtë, me të cilët diskutoi për axhendën e opozitës në vazhdim. Mësohet se gjatë takimit, Basha ka informuar aleatët e tij dhe anëtarët e kryesisë mbi hapat që do të ndërmarrë opozita nëse maxhoranca dhe Kryeministri Rama nuk do të tërhiqen nga ideja për të zhvilluar zgjedhje të vetëm në 30 qershor.
Basha ka folur për një qëndresë dhe rezistencë të opozitës së bashkuar përballë çdo sjelljeje antikushtetuese dhe joligjore të qeverisë dhe për këtë arsye po ngrihen edhe Aleancat Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Në përfundim të takimit me Bashën, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, theksoi se qëndrimi i aleatëve të PD-së është për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Pas këtyre zhvillimeve të rëndësishme për vendin, pas qëndrimit të Presidentit të Republikës besoj që Basha në emër të gjithë opozitës ka shprehur qartë qëndrimin e tij. Angazhimin e opozitës për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën Kryeministër. Ky është diskutimi që është bërë sot dhe qëndrimi ynë është i njëjtë me qëndrimin që ka mbajtur Basha në konferencë”, tha Mediu.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



