Dita e 43-të e protestës/ Mijëra qytetarë para Kryeministrisë:
“Korrupsioni po na varros përditë”
Protesta kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 43-të radhazi, ndërsa mijëra qytetarë janë mbledhur sërish para godinës së Kryeministrisë për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë dhe për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit kanë vërshuar para Kryeministrisë, ndërsa gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje për dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe ndryshim politik në vend.
Sipas pjesëmarrësve, pakënaqësia e tyre lidhet me qeverisjen, situatën ekonomike, korrupsionin dhe standardin e jetesës. Organizatorët deklarojnë se tubimet do të vijojnë deri në realizimin e kërkesave të protestuesve.
Një qytetar, pjesëmarrës në protestën e sotme, tregoi se arsyeja kryesore që e kishte nxjerrë në shesh ishte shqetësimi për të ardhmen e fëmijëve dhe dëshira që ata të rriten në Shqipëri.
“Kam dalë në protestë për fëmijët e mi, se dua t’i rris në Shqipëri. Nuk dua të marrim rrugët e botës! Të gjithë shqiptarët e ndershëm duhet të mblidhen këtu. Këtu i gjejmë shqiptarët e ndershëm dhe pa interes. Vetëm për të drejtat tona dhe të kombit tonë, ndaj kam dalë sot në protestë”, u shpreh qytetari.
Ai ngriti shqetësimin edhe për korrupsionin dhe kriminalitetin, të cilat, sipas tij, po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Përballem me pafund problematika. Arsyeja kryesore është korrupsioni që po na varros përditë, krimi që na rrethon përditë. Të gjitha partitë, pa përjashtim, na i kanë lënë gjërat rrëmujë”, deklaroi ai.
Atmosfera para Kryeministrisë është shoqëruar nga brohoritje, këngë patriotike dhe thirrje të vazhdueshme drejtuar qeverisë dhe institucioneve.
Protestuesit janë zotuar se do të vijojnë tubimet çdo ditë, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se protesta nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave të tyre për ndryshim politik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



