Doda ikën nga takimi me ambasadorët: Borshard na kërkoi të zhdukim PD. Jo kinezëri në Shqipëri
Doda ikën nga takimi me ambasadorët: Borshard na kërkoi të zhdukim PD. Jo kinezëri në Shqipëri
28/04/2017
Takim i tensionuar ka qenë ai i ambasadorëve të BE-së, OSBE-së dhe SHBA-së me përfaqësuesit e partive te vogla.
Këtë kanë shprehur si Nard Ndoka ashtu edhe deputetja e PDIU-së, Mesila Doda e cila tregoi se ambasadori i OSBE-së Bern Borshard është shprehur që të hyhet në zgjedhje pa PD-në.
Siç tregoi deputetja Mesila Doda, ambasadori i OSBE-së është shprehur se “mungesa e PD-së në zgjedhje do të jetë vetëm një fjali në raportin që do të përgatitet”.
Mësohet se Doda i ka thënë ambasadorit Borshard në sy të ambasadorit Lu, i cili është me origjinë aziatike se: “Kinezëri të tilla nuk do lejojmë të ndodhin në Shqipëri. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë”.
Doda doli 10 minuta më herët nga takimi me ambasadorët dhe u shpreh se biseda ka qenë e tensionuar dhe jo e qetë.
“Kemi dhënë dje firmat për kandidaturën e zotit Meta, për president. Kemi firmosur unë, zoti Idrizi dhe zoti Rakipi”, ka konfirmuar kështu deputetja e PDIU-së Mesila Doda. Pas takimit të partive të vogla me ambasadoren e BE-së, të OSBE-së dhe atë të SHBA-së, Mesila Doda ka shprehur shqetësimin për qëndrimet e tyre, sipas të cilave nuk është problem mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje.
“Ambasadori i OSBE tha se mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje nuk është problem”, ka deklaruar e çuditur zonja Doda duke theksuar se në të vërtetë mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje është shumë problem dhe këta zotërinjtë që marrin rrogën në Shqipëri, pra është fjala për ambasadorët, duhet të na sqarojnë sepse Shqipëria ka një përvojë të hidhur me zgjedhjet pa opozitë që është diktatura komuniste.
“Anëtarët e opozitës ngritën shqetësimet e tyre dhe më pas unë pata një bisedë jo shumë miqësore me ambasadorin e OSBE, i cili ka deklaruar se mospjesëmarrja e opozitës do të jetë një problem, por do të jetë një fjali në raportin e OSBE/ODIHR, ndërsa ndryshimi i Kodit dhe kërkesa për të dhënë më shumë transparencë, administrim dhe numërim i të gjitha partive parlamentare në zgjedhje, ky po që do të ishte një problem shumë i madh dhe ODIHR këtë nuk do ta lejonte.
Kinezërira të tilla mendoj se nuk e ndihmojnë procesin dhe na përjashtojnë edhe ne të tjerëve nga ky proces. Ose të gjithë palët do të jenë kontrollues të sistemit, ose këta zotërinj që marrin rrogën këtu në Shqipëri do të duhet të kuptojnë shumë mirë se ky vend nuk mund të kthehet dot më diktaturë dhe të mos punojnë në vendosjen e autoritarizmit dhe diktaturës në këtë vend. Këtë nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë”, tha Doda.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



