Dokumenti/ Miratohen rregullat e sigurisë për BKH, SPAK dhe Prokurorinë e Posaçme
Teksa pritet të ngrihen institucionet e reja në kuadër të reformës në drejtësi, si Byroja Kombëtare e Hetimit, SPAK dhe Prokuroria e Posaçme, qeveria ka miratuar edhe rregullat e sigurisë për institucionet përkatëse.
“Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të hollësishme për procedurat në lidhje me garantimin e sigurisë së mjediseve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Këto rregulla nuk duhet të cenojnë veprimtarinë gjyqësore dhe administrative të institucioneve si dhe zhvillimin e proceseve gjyqësore, në mënyrë publike e transparente”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Hyrjet në godinë mbikëqyren nga personeli i sigurisë, ndërsa kryetari i institucionit përkatës autorizon personelin si dhe persona të tjerë, të hyjnë në ambientet e tyre, nëpërmjet një hyrjeje të veçantë. Kjo hyrje e veçantë shërben edhe si dalje emergjence në rastet kur jepet urdhër për evakuim nga kryetari i institucionit përkatës.
Tre institucionet në fjalë do të kenë detektor elektrik sigurie, ndërsa punonjësit do të jenë të pajisur me pajisje të posaçme nga hyrja e veçantë për ta.
Normalisht, institucioni do të pajiset edhe me kamera sigurie, ndërsa pamjet do të ruhen për një periudhë nga 6 muaj deri në 1 vit.
Personat e tjerë do të mund të hyjnë duke pasur mjet identifikimi me vete, ndërsa në rastet kur identiteti i personit nuk mund të konfirmohet, personeli i sigurimit nuk lejon hyrjen në institucion.
“Drejtimi dhe organizimi i veprimtarisë së shërbimeve të sigurisë nga Policia e Shtetit realizohen nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e kryetarit të institucionit përkatës dhe të titullarit të strukturës policore”, thuhet në VKM.
Përveç BKH-së, SPAK dhe Njësisë së Posaçme të Prokurorisë, janë edhe Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit institucionet që ngarkohen për të kryer zbatimin e vendimit, i cili hyn n fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco








