Dosja 339/ Lirohen nga qelia Astrit Avdylaj dhe dy të tjerë të operacionit “Volva 4”
Shkaku i lirimit në ‘arrest shtëpie’ të tre të arrestuarve është fakti se u ka përfunduar afati i paraburgimit.
Astrit Avdylaj u dënua me 6 vite e katër muaj burg. Për shkak të arrestimit më vonë se pjesa tjetër e grupit, ai është duke u gjykuar ende, ndërsa dosja ka mbetur pezull për një kohë të gjatë duke çuar në skadimin e afateve të paraburgimit.
Sipas ligjit duhen 12 muaj paraburgim deri në dhënien e vendimit. Ndërsa për këtë rast, deri tani kanë kaluar 14 muaj dhe ende nuk është dhene vendimi i shkallës së parë.
Tre të arrestuarit i përkasin operacionit ”Vol-Vo 4” të laboratorit të heroinës në Brengosë të Hasit në 2018. 4 grupe kriminale u goditën atëhere teksa pjesëmarrës ishin dhe të ashtuquajturit ”Avdylajt” e Shijakut.
GRUPI I AVDYLAJVE
Hetimet për këtë grup nisën në vitin 2016 për dyshimet për trafik droge.
Përgjimet e grupit kriminal dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër, zbuluan mes të tjerash një angazhim të të dyshuarve jo vetëm në trafikun e drogës por edhe në mbështetjen e zyrtarëve të ndryshëm socialistë në fushatat e tyre zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme në Dibër në 11 shtator 2016 si dhe më pas, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017.
Prokuroria kreu arrestimet e të dyshuarve në tetor të vitit 2018, nëpërmjet operacionit të quajtur “VOL-VO 4”. Bashkë me të dyshuarit për trafik, në pranga ranë ish-deputeti socialist Arben Ndoka dhe vëllai i tij Gjevi Ndoka, si dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, gjithashtu ish-deputet socialist, Arben Çuko.
Arben Ndokës iu sekuestruan edhe 300 mijë metra katrorë tokë në vendin e quajtur Mali i Renzit në Shëngjin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



