Dosja “Balluku”, Dumani i përgjigjet ‘flakë për flakë’ Berishës
“Asnjë presion ndaj prokurorit Prençi”
Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ka folur për herë të parë për hetimin ndaj Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe për menaxhimin e informacionit në dosjet e ndjeshme.
Dumani mohoi çdo pretendim për kërcënim ndaj prokurorit që ndjek çështjen, duke theksuar mbështetjen e plotë për Prokurorin Prençi dhe për të gjithë prokurorët e SPAK.
“Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që thuhen për kërcënim të prokurorit të çështjes nga ana ime. Prokurori Prençi ka të gjithë mbështetjen time. Kam kontakte të shpeshta me të,” tha Dumani.
Ai shtoi se prokurori Prençi nuk i ka shprehur asnjë shqetësim për ndonjë kërcënim të mundshëm nga Kryeministri apo nga dikush tjetër, duke nënvizuar se prokurorët janë të pavarur dhe zot të çështjeve të tyre.
Dumani gjatë intervistës në emisionin Trikalog, u përgjigj edhe për një akuzë të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pretendoi se Dumani kishte intimiduar prokurorin Prençi:
“Tani, thashë, nuk i komentoj deklaratat politike, por prokurorët e posaçëm janë të pavarur. Ata vendosin për fatin e hetimeve dhe procedimin e çështjeve që ndjekin. Si drejtues i SPAK, gjithmonë kam ofruar mbështetje dhe solidaritet për prokurorin e çështjes dhe për të gjithë prokurorët e SPAK. Në rastin konkret, asgjë nuk qëndron. Prokurori Prençi ka mbështetjen time për hetimin jo vetëm të kësaj çështjeje, por edhe të të gjitha çështjeve që ndjek.”
Sa i përket mundësisë së interferencës nga Kryeministri, Dumani theksoi:
“Kam kontakt të shpeshtë me zotin Prençi, tre, katër herë në ditë, dhe deri tani nuk më ka shprehur asnjë shqetësim lidhur me kërcënime të mundshme nga kushdo qoftë. Ne si prokurorë të SPAK jemi të përgatitur për kërcënime, kanosje apo përbaltje, dhe veprojmë gjithmonë bazuar në ligj dhe prova. Në çdo rast, ndërmarrim veprimet konkrete që ligji parashikon.”
Dumani garantoi se mbështetja e tij ndaj Prokurorit Prençi do të vazhdojë, sidomos në hetimin e çështjes Balluku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



