Dosja ‘Nuhu’, gazetari Çollaku në Prokurorinë e Tiranës në orën 13:00
Drejtori i Informacionit në Televizionin Shijak, Basir Çollaku është thirrur sot në orën 13:00 në Prokurorinë e Tiranës.
Çollaku është kallëzuar penalisht nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla për ‘kallzim të rremë’ dhe ‘fyerje’ të qëllimshme.
Kallëzimi erdhi menjëherë pas publikimit të dëshmisë së nënkomisarit Emiljano Nuhu, i cili akuzon numrin dy të Partisë Socialiste Taulant Balla, deputetin Rrahman Rraja dhe kryebashkiakun Artur Bushi për kërcënim me armë në zyrën e tij në komisariatin e Krujës.
Sipas dëshmisë, nënkomisari u kërcënua për të liruar djalin e deputetit Rrahman Rraja i cili ishte paditur nga Xhisiela Maloku.
Çollaku do të paraqitet sot në Prokurorinë e Tiranës.
Çollaku thotë se ne do t’i kërkojmë prokurorisë hetimin e plotë të të gjitha deklarimeve të nënkomisarit për çdo zyrtar dhe politikan, për çdo përgjegjësi të tyre.
‘Kërkojmë dhënien e drejtësisë’, thekson ai.
Në kallëzimin e tij Balla kërkon: ‘Fillimin e hetimeve dhe regjistrimi i procedimit penal ndaj shtetasit ‘Kallëzimit të rremë’ për kryerjen e një krimi që dihet se nuk është kryer ose për kryerjen e një krimi nga një person që dihet se nuk e ka kryer atë, si edhe, krijimi i provave të rreme me qëllim që të bëhen ndjekje penale, ‘Fyerjes’ së qëllimshme e personit e cila përbën kundërvajtje penale dhe kur kryhet botërisht përbën kundërvajtje penale të parashikuar në nenin 305, 119 dhe 120 të Kodit Penal.’
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



