Dosjet e SPAK, qytetarët në protestë ‘derdhen’ para Kryeministrisë
Ka nisur protesta e paralajmëruar nga opozita para Kryeministrisë, ku me mijëra qytetarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike janë mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një tubim të thirrur si reagim ndaj skandaleve të fundit që kanë përfshirë qeverinë.
I pari që mori fjalën nga podiumi ishte deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, i cili mbajti një fjalim të ashpër, duke e akuzuar qeverinë se ka humbur çdo legjitimitet dhe funksionon si një organizatë kriminale, e mbështetur mbi shantazhe, përgjime dhe dosje komprometuese.
“Gjumi i tyre është prishur përfundimisht. Ata hyjnë e dalin nga kjo godinë jo për të qeverisur, por për dy arsye: për të zhdukur provat e krimeve dhe për të mbledhur prova kundër njëri-tjetrit”, deklaroi Këlliçi, duke shtuar se brenda qeverisë po zhvillohet një luftë e brendshme mbijetese.
Sipas tij, ministra dhe zyrtarë të lartë po përgjojnë dhe regjistrojnë njëri-tjetrin për të siguruar materiale shantazhuese si garanci politike. “Visi ka ruajtur mesazhet e Ballukut. Balluku ka ruajtur mesazhet e Palloshit. Gysi i ka filmuar të gjithë. Kamera të fshehta, telefonata të regjistruara, USB dhe përgjime të mbajtura në kasaforta – kjo është banda që ende guxon ta quajë veten qeveri”, u shpreh ai.
Këlliçi akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama si kreun e kësaj strukture, duke thënë se ai ndodhet tashmë në panik dhe nuk di më kë të mbrojë dhe kë të sakrifikojë.
Ndërkohë, protestës i është bashkuar edhe ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i cili deklaroi se qeveria është e zhytur në skandale dhe se rrëzimi i saj është i pashmangshëm. “Skandalet e AKSHI-t dhe Ballukut tregojnë se çdo vendimmarrje bëhet për interesa personale të Edi Ramës dhe një grupi të vogël njerëzish. Për këtë arsye, qytetarët duhet të jenë masivisht në shesh”, tha Salianji.
Ai theksoi se foltoret dhe takimet me qytetarët kanë pasur si qëllim bashkimin e opozitës dhe përgatitjen për një përballje të drejtpërdrejtë me atë që e cilësoi si qeveri të korruptuar.
Pak më herët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u nis nga selia e PD-së drejt Kryeministrisë, i shoqëruar nga deputetë dhe mbështetës dhe iu bashkua protestës. Në shesh janë parë gjithashtu Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi, ndërsa numri i protestuesve vijon të rritet.
Protesta kombëtare vjen pas zhvillimeve të fundit të dosjeve të SPAK, përfshirë kërkesën për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe daljen e detajeve nga hetimet për AKSHI-n, ku opozita pretendon se përfshihen edhe familjarë të kryeministrit Rama.
Ndërkohë, policia ka marrë masa të forta sigurie, duke rrethuar Kryeministrinë me kordonë metalikë, forca të shumta policore dhe autobote uji. Rreth 1.200 efektivë ndodhen në terren, ndërsa autoritetet janë në gatishmëri për çdo skenar.
Protesta pritet të vijojë me fjalime të tjera dhe mesazhe drejtuar qytetarëve, në një klimë të tensionuar politike që pritet të thellohet edhe më tej.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


