DRAFTI me 14 pika të që Meta i propozoi ambasadorëve të BE: Këshilli Politik bëhet FUQIPLOTË!
Në takimin e djeshëm që Presidenti Meta mbajti me opozitën jashtë parlamentare dhe ambasadorët e Bashkimit Europian, u prezantoi një draft me 14 pika, si veprimet që duhen bërë për të siguruar një proces më të besueshëm dhe më të shpejtë të integrimit europian.
Në draftin e paraqitur nga Meta, në të cilin kërkohet që Këshilli Politik të jetë fuqiplotë në vendimmarrje, duke i hequr një pjesë të madhe të pushtetit Parlamentit dhe Kryeministrit Rama.
Sipas Metës, çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.
Meta kërkon së pari që partitë të përfundojnë Reformën Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE, për të krijuar mundësinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, ndërsa për tre vendet e lira duhet të ndiqet radha President-Parlament-President. Gjithashtu, Meta kërkon që kreu i KED të largohet nga detyra sapo këta tre anëtarë të rinj të Gjykatës së Lartë, të emërohen në detyrë.
Presidenti kërkon edhe që Parlamenti të tërhiqet nga “Paketa Anti-shpifje” dhe nga çdo iniciativë që ndryshon mënyrën e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Çështja e Gjykatës Kushtetuese është një nga pikat kryesore ku ndalet Presidenti Meta, pasi mosfunksionimi i saj ka bërë që rreth 36 mijë çështje të mbeten ende të pazgjidhura.
14 pikat e draftit të paraqitur nga Presidenti Meta:
1- Mazhoranca dhe opozita (parlamentare dhe jo-parlamentare) duhet të përfundojnë me vendosmëri Reformën Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe konkluzioneve të Këshillit Europian për Çështjet e Përgjithshme.
2- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, duke përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në draft-opinionin e 6 marsit. Për tre vendet e lira (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të paraqesë listat e kandidatëve për secilin institucion sipas sekuencës kushtetuese: Presidenti – Parlamenti – Presidenti
3- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të pajtohet me pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë veprimtarinë e tij dhe diskutimet, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.
4- Mandati i Kryetarit aktual të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përfundon me emërimin e tre gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED humbet menjëherë të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e mandatit të tij, me vonesë të gjatë, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe për pasojë si Kryetar i KED.
5- Këshilli i emërimeve në drejtësi vazhdon të funksionojë sipas ligjit, kryesohet nga Nënkryetari.
6- Parlamenti Shqiptar merret menjëherë me çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti dhe Parlamenti të plotësojnë vendet e mbetura bosh në KED brenda 1 viti kalendarik.
7- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga çdo iniciativë ligjore që ndryshon formatin dhe procedurën e betimit në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e tjerë të lartë të sistemit gjyqësor.
8- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga “Paketa Anti-shpifje” dhe nga çdo nismë e ngjashme ligjore në të ardhmen.
9- Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.
10- Në kuadrin e Këshillit Politik, partitë bien dakord brenda qershorit për të emëruar Shef-Negociator për anëtarësimin në BE, një ekspert të nivelit të lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është i pajtueshëm nga të gjitha palët.
11- Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, dhe sa më shpejt të jetë e mundur.
12- Këshilli i Lartë Gjyqësor Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton menjëherë hartën e re gjyqësore për rishpërndarjen e burimeve njerëzore brenda sistemit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë, dhe vazhdohet me plotësimin e vendeve bosh të krijuara nga dorëheqjet ose vettingu.
13- Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përcaktojë parësore mbingarkesën e Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të propozojë masat e nevojshme që lejon një proces të rregullt brenda afatit kohor (1 muaj) në këtë Gjykatë.
14- Parlamenti Shqiptar duhet të shqyrtojë pa interes politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



