Drejtoi operacionin e policisë gjatë protestës së të shtunës?- Ministri i Brendshëm: Po kam qenë në Policinë e Shtetit, por…
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se gjatë protestës të së shtunës ka qenë në Policinë e Shtetit, por mohoi të ketë pasur rol në drejtimin e operacionit policor.
“Kam qenë në Policinë e Shtetit. Detyra ime është të jem aty në ditë normale, por sidomos në ditë anormale. Por, nuk kam qenë në drejtim të operacionit, pasi në sallën e drejtimit kanë qenë sy ndërkombëtarë dhe unë nuk ia lejoja dot vetes idiotësinë të futem në një sallë ku nuk kam rol dhe ku ka njerëz prezentë që vëzhgojnë sjelljen tonë”, theksoi ministri i Brendshëm në Top Show.
Lleshaj, zbuloi se “ndërkombëtarët kanë qenë në sallat e vrojtimit pranë policisë dhe kanë monitoruar protestat bashkë me ne”.
“Sipas vlerësimit tim dhe sipas vlerësimit të ekspertëve ndërkombëtarë, menaxhimi nga policia ka qenë i shkëlqyer. Ndërkombëtarët kanë monitoruar protestat bashkë me ne. Misionet ndërkombëtare kanë pasur vlerësim superlativ për policët të cilët janë prindër, vëllezër, motra që kanë detyrë të ruajnë rendin”, deklaroi Lleshaj.
Kur u pyet a ndihet krenar për punën e policisë, Lleshaj u përgjigj: “Nuk ndihem krenar për Policinë e Shtetit pasi në këto ditë të turbullta nuk ka arsye për t’u ndjerë krenar. Protesta të dhunshme ka në botë, por në rastin tonë është një protestë që drejtohet nga personazhe që kanë patur fatet e vendit për një kohë të gjatë. Në Paris nuk dalin në krye të protestës ish-ministra e kryeministra. Të vjen keq që të kthehemi në skena të tilla që na turpërojnë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



