E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Drejtoresha e Veliajt i jep Sokol Kryeziut 550 MLN lekë për makina të ndryshkura
Lajme

Drejtoresha e Veliajt i jep Sokol Kryeziut 550 MLN lekë për makina të ndryshkura

Liri Qoshi, drejtorja e Pastrim Gjelbërimit në Bashkinë e Tiranës, me urdhër të kryebashkiakut Erion Veliaj ka prokuruar 550 milionë lekë me shkelje të ligjit.   “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, ky është përshkrimi i Open Data Albania për tenderin me objekt “Mjete teknologjike”. Procedura është vlerësuar me “Flamur të kuq”. Shënimi me këtë shenjë (red flag) i një procedure prokurimi tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose jo-etike të biznesit, kryesisht në lidhje me mosrespektimin e ligjeve antikorrupsion.

Ky është vetëm një nga tre lotet e tenderit. Vlera e Fondit Limit Total është 45,830,000 pa TVSH ose 463,163.2 Euro pa TVSH, ndërsa duke llogaritur tatimin shkon mbi 550 milionë lekë.

Tenderi është ndarë në 3 pjesë: Loti I. “Mjete teknologjike”, me afat të kontrates 3 muaj, me fond limit 20,480,000 lekë pa TVSH.  Loti II. “Kamiona kamioncine”, me fond limit 19,616,666.7 lekë pa TVSH. Loti III ”Mjete transporti”, me fond limit: 5,733,333.3 lekë pa TVSH.

Me këtë fond do të blihen: 1 kamion vetëshkarkues, 7 kamionçina, 1 autobot, një autofshesë, 1 fadromë, 1 autovinç dhe 1 furgon. Nga specifikimet teknike mësojmë se do të blihen makina të viteve 2002-2005. Nuk e dimë nevojën e vërtetë të bashkisë për këto vjetërsira dhe ndoshta do ta mësojmë nga auditimet e KLSH më vonë. Gjithsesi, në vitin 2020, mësojmë nga raport i KLSH se u bë një tender i tillë që furnizoi këtë drejtori me mjete të tilla.

Tenderi ”Blerje mjete transporti dhe agregat” me fond 120 milionë lekë rezulton të ketë shpallur fituese kompaninë me ofertën më të shtrenjtë dhe që nuk plotësonte kushtet.

Ky raport i KLSH i publikuar më 2023, sigurisht që i ka shkuar drejtoreshës, por Qoshi reflekton vetëm porositë që i ka lënë Veliaj para se të arrestohej.

Në të njëjtën metodë, Liria ka skualifikuar ofertën më të ulët dhe ka lënë për të lidhur kontratën vetëm kompaninë GERARD – A me pronar Sokol Kryeziun.

Kjo firmë ka marrë 23 tendera publikë vetëm nga Erion Veliaj, kryesisht me “Flamur të kuq”.

Megjithëse tenderi është mbyllur më 25 nëntor 2024, Liri Qoshi e ka mbajtur kontratën për “Mjetet teknologjike” në sirtar deri më 4 shkurt 2025, kur e ka dërguar në Agjencinë e Prokurimit Publik.

Edhe lotin tjetër për “Kamionçina”, e ka marrë sërish me shkelje kompania e Kryeziut.

Kujtojmë para dy ditesh  u arrestua kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, për 9 raste korrupsioni dhe fshehje pasurie.

Referuar të dhënave të publikuara në median e shkruar, ka rezultuar se Sokol Kryeziu, është një prej personave kyç të përfshirë në dosjen që prokurorët e posaçëm kanë përgatitur për Erion Veliajn. Ajo që bie në sy është se Sokol Kryeziu, në vitin 2016, ka nisur punën si faturino i kompanisë Gerard-A dhe më pas si kontrollor, deri në momentin kur papritur ka blerë kompaninë, ku e nisi karrierën si faturino. Sipas të dhënave të siguruara nga prokurorët, Sokol Kryeziu e ka blerë kompaninë Gerard-A për 33.4 milionë lekë, që do t’i shlyente në 6 vite.

Gjatë periudhës 2017-2018, Kryeziu ka punuar si pastrues në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrim-Gjelbërimit dhe më pas si punëtor për ngarkim-shkarkim mbetjesh në shoqërinë Alb Teck Plast. Më tej, karriera e tij ka përparuar, duke u emëruar drejtor në shoqërinë Green Line.

Shoqëria Gerard-A, nga viti 2018 deri në 2023, ka fituar 20 procedura me autoritete kontraktuese si UKT, Drejtoria e Pastrim-Gjelbërimit dhe Drejtoria Nr. 2 e Punëtorëve të Qytetit.

Gjatë periudhës dhjetor 2023 – janar 2024, kur Sokol Kryeziu rezulton të jetë pronar i Gerard-A, ai ka blerë disa piktura në galerinë NAN, e kontrolluar nga Ajola Xoxa. Vlera totale e pikturave është 5 milionë lekë.

Kjo skemë korruptive është një nga të shumtat që gjenden në dosjen e hartuar nga prokurorët. Skema, që duket qartë si një marrëdhënie korruptive, është përdorur nga kryetari i bashkisë në funksion të përfitimit monetar. Sesi një faturino siguroi shumën e nevojshme për të blerë një kompani, nuk dihet, por fakti që ai ka faturuar në drejtim të një OJF-je të zotëruar nga bashkëshortja e Erion Veliajt, me një shumë të konsiderueshme parash, ngre dyshime të mëdha.

Ndaj duket se ai është vetëm një emër fiktiv, i përdorur për të qarkulluar milionat e çiftit Veliaj-Xoxa. Kryebashkiaku Erion Veliaj po mbahet në masën e arrestit me burg, nën dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ndodhet në arrest shtëpie për të njëjtat akuza.

Kujtojmë se Erion Veliaj në vitin 2023 i ka dhënë tenderin në vlerën 200 milion lekë subjektit Gerard-A të Sokol Kryeziu për pastrimin e koshave dekorativ në qytetin e Tiranës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.