Drejtori i Policisë Rrugore Tola: Kemi bllokuar 1000 patenta dhe 400 makina
Drejtori i Policisë Rrugore Mit’hat Tola, ka thënë mbrëmjen e sotme se janë sekuestruar në total në të gjithë vendin mbi 1 mijë patenta dhe 400 mjete, kryesisht shoferë që kanë dalë pa autorizim ose kanë shkelur oraret e lëvizjes.
“Janë bllokuar mbi 1 mijë patenta dhe mbi 400 makina. Këto janë masa pë rata drejtues mjeti që kanë shkelur afatet, ose kanë guxuar të lëvizin pa autorizim. Të gjithë drejtuesit e mjeteve, që punojnë në institucione dhe që kanë një vetëdeklarim për të shkuar në punë në 05:00-08:00 dhe për t’u larguar nga puna më 16:00-17:30 nuk kanë motiv të qarkullojnë në Tiranë apo në qytetet e tjera, duke shtuar trafikun. Edhe pjesa tjetër nuk ka pse të dalë jashtë këtyre orareve”, ka thënë Tola.
Më tej i pyetur në emisionin Real Story nëse mund të merret leje për të lëvizur nga një qytet në tjetrin, drejtori i Policisë Rrugore ka thënë se Policia miraton vetëm lëvizjen për nevoja emergjente.
“Vetëm për nevoja emergjente, për të kryer nevoja emergjente. Ne iu japim mundësi personave që kanë vërtet nevojë, që kanë prindër larg dhe që duhet t’iu çojnë ushqime, para në këto kushte të vështira. Deri më sot janë depozituar 251 mijë vetëdeklarime në faqen e policisë, te plaftorma COVID-19 ka arritur në mbi 300 mijë aplikime. Policia ka refuzuar shumicën dhe ka aprovuar 80 mijë”, ka përmbyllur Mit’hat Tola, Drejtori i Policisë Rrugore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



