Drogë, thikë e plumba, arrestohen 3 të rinj në Lezhë (Emrat)
Tre të rinj janë arrestuar dhe një i mitur është vënë nën hetim nga Policia e Lezhës, pasi u kapën duke udhëtuar me një automjet në të cilin mbartnin lëndë narkotike dhe armë të ftohtë, si dhe tentuan t’i shmangeshin kontrollit policor.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor “Shëngjin–Kune”, ku shërbimet e patrullës iu dhanë sinjal ndalimi një automjeti tip “Benz”. Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë, duke tentuar të largohej, por pas disa minutash ndjekje, mjeti u ndalua dhe u bë kapja e personave që ndodheshin brenda.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë dhe kanabis, si dhe një thikë që dyshohet se mund të përdorej për qëllime kriminale. Pas veprimeve të mëtejshme hetimore, gjatë kontrollit të banesës së njërit prej të arrestuarve, Pietro Gega, 26 vjeç, i njohur më parë për përfshirje në veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve, policia gjeti dhe sekuestruar 60 fishekë për armë zjarri të llojit pistoletë.
Në pranga përfunduan Marsel Margjoni, 19 vjeç, Henri Ismaili, 18 vjeç, dhe Pietro Gega, 26 vjeç, të tre banues në Shëngjin. Ndërkohë, një 17-vjeçar që po drejtonte automjetin pa leje drejtimi në momentin e ndalimit, u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Policia bën të ditur se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal të këtyre shtetasve, ndërkohë që materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme ligjore.
“U arrestuan në flagrancë shtetasit M. M., 19 vjeç, H. I., 18 vjeç, dhe P. G., 26 vjeç, të tre banues në Shëngjin. U procedua penalisht 17-vjeçari, i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi në momentin e ndalimit nga Policia”,- njofton policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



