E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shkoi të merrte hak për vëllanë e vrarë, arrestohet 37-vjeçari në Lezhë
Lajme

Shkoi të merrte hak për vëllanë e vrarë, arrestohet 37-vjeçari në Lezhë

Një tjetër ngjarje e mundshme hakmarrjeje është parandaluar nga Policia e Lezhës. Një 37-vjeçar është arrestuar në Fushë-Milot, pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri automatike dhe u konstatua se lëvizte me një automjet të blinduar. Sipas policisë, ai dyshohet se po përgatitej të kryente një vrasje për t’u hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij në Kurbin.

I arrestuari është Emanuel Gehard, i njohur edhe me aliaset Basha dhe Lika. Ai është vëllai i 40-vjeçarit Ilir Lika, i cili u vra më 9 korrik 2026 në Kurbin.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Argos”, të organizuar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të Hetimit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin.

Me automjet të blinduar dhe armë automatike

Sipas njoftimit zyrtar, 37-vjeçari u ndalua në Fushë-Milot, ndërsa lëvizte me një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, të blinduar dhe me targa gjermane.

Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti një armë zjarri automatike të tipit “Skorpion”, të pajisur me një krehër me 16 fishekë.

Sipas autoriteteve, i arrestuari rezulton me precedentë kriminalë. Rrethanat e ndalimit dhe sendet e sekuestruara po trajtohen në kuadër të hetimeve për parandalimin e një krimi të mundshëm të lidhur me hakmarrjen.

Operacioni “Argos”, në fokus hakmarrja për vrasjen e Ilir Likës

Policia bën me dije se operacioni u zhvillua pas monitorimit të situatës kriminale në qarkun e Lezhës, analizimit të ngjarjeve të mëparshme dhe ndjekjes së dinamikës së tyre.

Sipas uniformave blu, hetimet dhe veprimet operacionale çuan në dyshimin se mund të kryhej një tjetër vrasje, e lidhur me ngjarjen e 9 korrikut në Kurbin, ku humbi jetën 40-vjeçari Ilir Lika.

Ndërhyrja e policisë bëri të mundur arrestimin e vëllait të tij dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, duke parandaluar, sipas versionit zyrtar, një krim të mundshëm në shenjë hakmarrjeje.

Autoritetet vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të sqaruar nëse kishte persona të tjerë të përfshirë në planifikimin e veprës së dyshuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.