Duhet t’i lexoni patjetër fjalët e Brendan Fraser për djalin e tij me autizëm

Aktori Brendan Fraser ka folur për djalin e tij 20-vjeçar, i cili është me autizëm dhe ka treguar se sa e ka frymëzuar i biri dhe fëmijët e tjerë me autizëm në jetën dhe karrierën e tij.

“Unë nuk jam ekspert për varietetet e çrrgullimeve të spektrit, unë jam një baba dhe për këtë mund të flas. Djali im Griffin ka një vonesë verbale, në fakt, e ka pasur që në moshë të vogël. Kur na u bë me dije diagnoza, ishte sikur u goditëm nga një vetëtimë, pasi, mendoj se edhe shumë prej jush mund ta kuptoni se sa në befasi na zuri”, tha Fraser, duke shtuar se kishte edhe mungesë informacioni për diagnozën e të birit.

Aktori vijoi dhe shprehu zhgënjimin që ndjeu në atë periudhë, duke treguar se pavarësisht me kë konsultohej, apo sado që përpiqej të merrte një përgjigje mbi shkakun e autizmit, sërish përballej me togfjalëshin: “për arsye të panjohura” dhe Fraser shtoi se ndërkohë që përpiqej “ta rregullonte” diagnozën, duhej të luftonte dhe të mësonte nga i biri, në mënyrë që t’i ofronte gjithçka që i duhej.

Brendan ndau me të tjerët çka ka mësuar gjatë këtyre 20 viteve dhe njerëzve që ka takuar në jetën e tij, të cilët kanë fëmijë me autizëm, apo punojnë me këta fëmijë: “Nga të gjithë individët që kam takuar gjatë viteve, që kanë përvojë me familjet dhe fëmijët, të gjithë thonë se po mësojnë njëkohësisht me fëmijët me autizëm”.

Aktori e ka cekur edhe më parë përvojën e tij me Griffin dhe ka thënë se në fakt, ai e ka frymëzuar shumë për rolin e tij në “The Whale”, për të cilin mori edhe Oscar si Aktori më i Mirë.

“Ai sapo ka mbushur 20 vjeç dhe është një fëmijë trupmadh, ka duar dhe këmbë të mëdha. Unë e kuptoj më së miri si është të jetosh me një person me obezitet”, u shpreh asokohe aktori.

Gjithashtu, e quajti Griffin si “njeriun më të lumtur”, pasi ai, për shkak të autizmit, nuk e di se ç’është cinizmi apo ironia.

“E, për shkak të bukurisë së spektrit të tij – ju mund ta quani çrregullim nëse doni, unë nuk bie dakord – ai nuk di asgjë mbi ironinë. Ai s’e di se ç’është cinizmi. Askush nuk mund ta fyejë atë dhe as ai s’mund të fyejë askënd. Ai është njeriu më i lumtur në jetën time dhe në atë të shumë të tjerëve, gjithashtu, edhe manifestim i dashurisë”.

Publikuar nga Publik Media