Duka u tërhoq, Alibeaj dhe Basha shpëtojnë Komisionin e Investimeve Strategjike
Grupi Parlamentar i PD ka ridepozituar sot të korrigjuar kërkesën me nënshkrimet e jo më pak se 35 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pas tërheqjes së deputetit Agron Duka për Komisionin Hetimor të Investimeve Strategjike.
Pas tërheqjes së Dukes janë shtuar ish kreu i PD, Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.
“Dëshirojmë të theksojmë se për deputetët nismëtar, zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e interesit publik, janë detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Qëllimi i ngritjes së Komisionit Hetimor nuk është targetimi i posaçëm i asnjë investitori të ligjshëm, por të evidentojë abuzimet me ligjin dhe të marrë masat për frenimin e ketyre fenomeneve negative, korruptive dhe klienteliste. Pasuritë publike nuk mund të jenë kurrë plaçkë për miqtë dhe familjarët e Edi Ramës, dhe detyra e Kuvendit është të marrë masat për të ndaluar abuzimet me zbatimin e ligjit për investimet strategjike dhe të nxjerr përgjegjësitë për këdo që ka shkelur ligjin”.
Dy dite me parë, gazeta “Panorama” mësoi përmes burimeve se menjëherë sapo nisi mbledhja me dyer të mbyllura për të shqyrtuar kërkesën e opozitës, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, mori fjalën dhe lajmëroi deputetët e opozitës se e kishte kontaktuar kryetari i PAA-së, Agron Duka, dhe kishte kërkuar që të tërhiqte firmën e tij nga dokumenti për ngritjen e një komisioni të tillë. Në këto kushte, kërkesa e opozitës nuk legjitimohej pasi sipas rregullores së Kuvendit për të ngritur një komision hetimor duhet mbështetja e së paku 35 deputetëve.
Po ashtu, mësohet se për të zgjidhur situatën, kryetari i Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj, kërkoi që në vend të Dukës të vendoste ai nënshkrimin e tij pasi nuk e kishte firmosur më herët, por kundërargumenti i maxhorancës ishte se në mbledhje i referohen dokumentit që është protokolluar. Ndërkohë, më pas, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, konfirmoi gjithashtu se edhe Mensila Doda e kishte kontaktuar për të tërhequr firmën e saj nga dokumenti për komisionin hetimor. Ndërkohë, Balla, në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, tha se kërkesa e opozitës nuk përmbushte kriteret.
“Kërkesa ka rënë sapo është depozituar. Nuk përmbushte numrin minimal të deputetëve firmëtarë që mbështesin një kërkesë për komision hetimor. Duhen 35 ose ¼ e anëtarëve të Kuvendit. Ky është kriteri bazë që kërkon Kushtetuta. Komisioni hetimor ngrihet kur atë e kërkon më shumë se ¼. 34 janë më pak se ¼. Matematika, ç’t’i bëjmë”, tha Balla.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



