Duke burgosur shokët, Rama shpreson se gijotina nuk do të bjerë në kokën e tij
Me gjithë limonadën e propagandës, Edi Rama nuk mundi të ndalonte thirrjet e ashpra të qindra shqiptarëve të mbledhur jashtë, që i kërkonin të largohej. Në takim me ta, në New York, dëgjoi britmat e një kombi që ka marrë udhën e largimit, duke mos pranuar më të gëlltisë lugën e prishur të propagandës së tij. Përballë një Shqipërie që çdo ditë bëhet më e pajetueshme, përballë një makinerie pushteti që vjedh dhe shkatërron, që flet për reformë, Rama po mundohet të lartësojë flamurin e Drejtësisë së Re. Një flamur që i rri si shqotë një hajduti të pashëmbullt, që burgos shokët një e nga një, në përpjekje të dëshpëruar për t’u shitur si shpëtimtar.
Në këtë fund të vjeshte , “Kryehajduti” vetë shfaqet në New York duke folur me krenari për reformën në Drejtësi. Bashkë me dosjet e majme që mbajnë vulën e tij, ai përpiqet të shesë këtë reformë si mrekulli të tijën.
Kjo drejtësi, që funksionon nën hapat e tij, e quan “drejtësi e re”, “reforma” që vetëm Rama e zotëron. Por të gjithë e dimë që, po të ishte me të vërtetë drejtësi, shumë ministra do ishin duke pritur pas hekurave dhe vetë Edi Rama do të kishte nisur numërimin e ditëve që i kanë mbetur në liri. Sepse, për aq kohë sa reforma funksionon vetëm si një vegël në dorën e abuzuesit më të madh që Shqipëria ka njohur pas Enver Hoxhës, nuk ka drejtësi, ka vetëm një peshkatar të etur për pushtet që hedh rrjetat duke shpresuar të shpëtojë lëkurën e vet.
Nga New York-u, ai zbulon kartat e tij të reja: reforma, arrestime spektakolare të “kundërshtarëve të lartë” dhe prapë, anëtarësimi në BE. Çka nuk thotë, është se çdo arrestim është pjesë e një loje të hollë për të mbajtur veten në krye. Nuk duhet shumë për të kuptuar se arrestimi i Ilir Metës nuk është i rastësishëm, as pozicioni i Sali Berishës dhe të gjitha “kombinacionet” që lozen prapa kuintave, në një teatër ku në fund gjithmonë luhet një akt: shpëtimi i vetes.
Por fushata nuk mjafton me kaq: përballë qytetarëve që ai beson se mund t’i bëjë të hanë “sapunin për djathë”, Edi Rama do të vazhdojë t’i “shesë” arrestimet si fitore, si arritje, si arësye për të shitur ëndrrën e një Shqipërie më të mirë – ndërkohë që qitja ka tjetër shënjestër. Në ditët e ardhshme, do të vazhdojë të burgosë shokët dhe bashkëpunëtorët që dikur vjedhnin përkrah tij, me shpresën se kështu do ta mbulojë gjurmët e veta, të freskëta në çdo dosje që ende nuk është hapur.
Edi Rama mund të burgosë shokët, të kapë kundërshtarët dhe të shpresojë se kështu do shpëtojë veten. Por në fund ky është një lak i lidhur me kujdes, që do mbyllet mbi të njëjtin që sot përpiqet të shpëtojë. Sepse Ilir Meta ka bërë krime, por jo vetëm. Ilir Beqja mund të ketë vjedhur miliarda në koncesione, por jo vetëm. Olta Xhaçka mund të ketë uzurpuar pronat në bregdet, por jo vetëm. Dhe Drejtësia e Re mund t’i përkulet Ramës sot, por jo përgjithmonë. Një ditë, boja e korrupsionit do zbulohet e plotë, dhe emri i Ramës nuk do mund të fshihet më.
Ndaj, Edi Rama gabon kur shpreson se kjo “drejtësi e re” do ta shpëtojë.e vendosur për kundërshtarët do të bjerë mbi kokën e tij, dhe atëherë do jetë shumë vonë për të ngritur flamuj të rinj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



