Duma akuza Ramës: Gënjeu për numrin e viktimave
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma akuzon kryeministrin Edi Rama se ka gënjyer qytetarët për numrin e pacientëve që kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19.
Teksa poston një video me deklaratat e Kryeministrit, Duma i kërkon Ramës që të dalë para familjeve që kanë humbur të shtrenjtët e tyre dhe të japë llogari.
“Rama gënjeu për numrin e njerëzve që vdiqën nga covid. Ai u tha mijëra familjeve që sot vajtojnë se të afërmit që humbën janë vetëm numra. @edirama dil përpara mijëra familjeve në zi, jep llogari!” shkruan ish-deputetja, Grida Duma.
Ditën e djeshme, Monitor shkruante se: “Në vitin 2020 kanë humbur jetën në vend rreth 28 mijë persona, sipas të dhënave zyrtare Drejtorisë së Gjendjes Civile.
Në krahasim me vitin 2019 dhe me mesataren e periudhës 2015-2019 (rreth 22 mijë), janë rreth 6 mijë jetë të humbura më shumë, me rritje prej 28%, duke shënuar nivelin më të lartë historik, të paktën që nga viti 1990, kur INSTAT raporton të dhënat.
Historikisht në vend janë shënuar midis 20-22 mijë vdekje në vit, ndërsa kapërcimi në 2020-n është shumë i fortë siç duket edhe nga grafiku “Numri i vdekjeve në vite, 1990-2020”.
Një tendencë e tillë në fakt është vënë re në pothuajse gjithë botën, sidomos në Europë, ku shtesa e vdekjeve në 2020-n ka qenë shumë më e lartë se mesatarja e pesë viteve të kaluara. Në disa pjesë të Europës, si në Itali, Spanjë vdekjet ishin jashtëzakonisht të larta, krahasuar me vdekshmërinë mesatare të viteve të mëparshme, sipas Eurostat, e lidhur me pasojat e pandemisë së Covid-19. Edhe në nëntor, në disa shtete janë shënuar deri në dyfishim të vdekjeve, me bazë vjetore, p.sh. +91% në Sloveni, apo +97% në Poloni, sipas Eurostat.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



