Dushi në mëngjes apo në darkë? Ja cfarë sugjerojnë ekspertët
Për shumë njerëz, dushi është pjesë e përditshme e rutinës së kujdesit personal, por dilema qëndron gjithmonë tek koha,: a është më e dobishme të laheni në mëngjes apo në darkë?
Kjo pyetje e zakonshme ka ndarë opinionet, por specialistët ofrojnë një këndvështrim interesant. Një dush ndihmon trupin të heqë qafe papastërtitë dhe djersën që lëkura mbledh gjatë ditës. Nëse shkoni në shtrat pa u larë, këto mbetje përfundojnë në çarçafë e jastëkë, duke ndikuar në cilësinë dhe higjienën e gjumit tuaj.
Mikrobet që jetojnë në lëkurë
Lëkura është shtëpia e mijëra mikroorganizmave. Në çdo centimetër katror të saj mund të gjenden dhjetëra mijëra deri në miliona baktere, që ushqehen nga yndyrnat dhe djersa e trupit, duke prodhuar aromë të pakëndshme.
Avantazhet dhe disavantazhet e dushit në mbrëmje
Në pamje të parë, dushi para gjumit duket si zgjedhja më e pastër, sidomos për ata që duan të ruajnë higjienën e shtratit. Megjithatë, mikrobiologia britanike Primrose Freestone thekson se edhe kur flini të pastër, trupi djersit gjatë natës deri në gjysmë litri dhe lëshon qeliza të vdekura, të cilat bëhen ushqim për bakteret në çarçafë.
Ekspertja e mikrobiomës Holly Wilkinson shton se: “Më e rëndësishme se dushi i përnatshëm është larja e rregullt e çarçafëve.”
Nëse lagështia grumbullohet në jastëkë apo në dyshek, ajo krijon kushte për zhvillimin e mykut, që mund të shkaktojë alergji dhe probleme me frymëmarrjen.
Dushi si ndihmës për gjumin
Ata që preferojnë të lahen në darkë kanë një argument tjetër: dushi ndihmon trupin të qetësohet dhe e përgatit për gjumë. Një analizë e 13 studimeve shkencore ka treguar se një dush ose banjë e ngrohtë për rreth 10 minuta para gjumit përmirëson cilësinë e tij. Arsyeja është e thjeshtë, nxehtësia rrit temperaturën e trupit, dhe më pas ulja graduale e saj sinjalizon trurin se është koha për të fjetur.
Çfarë thonë ekspertët?
Në fund, nuk ekziston një orar ideal që vlen për të gjithë. Zgjedhja mes dushit të mëngjesit apo atij të darkës varet nga ritmi i jetës, puna dhe preferencat personale.
Freestone e nis ditën me dush për të hequr bakteret e natës, ndërsa shumë të tjerë preferojnë ta përfundojnë ditën me të, për një ndjesi pastërtie dhe relaksi.
Sipas Wilkinson: “Nëse bëni dush çdo ditë, ora nuk ka shumë rëndësi. Më e rëndësishme është të mbani pastër shtretërit dhe jastëkët ku flini.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



