DW: Ja cili është shqetësimi kryesor i studentëve që protestojnë
Mijëra studentë kanë protestuar të hënën (17.12) para kryeministrisë në Tiranë për 8 kërkesat e parashtruara për ndryshime në arsimin e lartë shqiptar. Madje ka pasur edhe tensione, kur studentët kanë tentuar të kalojnë në pjesën e pasme të kryeministrisë e janë penguar nga policia. Por një grup studentësh ka ndërhyrë për të qetësuar situatën.
Refuzim i politikës
Ajo që bie në sy në këtë protestë është refuzimi i qartë që studentët i kanë bërë përzierjes së politikës në to. Sipas tyre, politika është përgjegjëse për krizën morale, shoqërore e ekonomike të vendit. Nga kryeministri Rama kanë ardhur këto ditë disa ftesa për dialog, por studentët nuk i kanë pranuar. Refuzimin e ftesave për negociata, një student i gazetarisë, i pyetur nga Deutsche Welle e shpjegon kështu. “Kemi kuptuar se në këtë vend nuk ka fairplay, nuk ka lojë të drejtë”. Frika e studentëve duket se është “shitja”, siç thotë një student në protestë, shkon në dialog dhe protesta sfumohet. “Ne e kemi parë se ku kanë shkuar dialogjet e mëparshme, prandaj nuk e duam, atë e i themi jo negociatave.”
Ku do të punoj? Pyetja që i shqetëson studentët
Shumë studentë shqetësim kryesor kanë të ardhmen e tyre pas studimeve. “Jam student i gazetarisë, viti i tretë bachelor”, thotë një student, dhe nuk e di se çfarë do të bëhem nesër. Si unë janë 90% e studentëve në të gjithë Shqipërinë.” Shumë prej tyre janë të zhgënjyer edhe nga puna e pedagogëve. Para disa ditësh u publikua edhe një listë me emra pedagogësh të përmendur si ata që u kërkojnë studentëve para për provimet. Prandaj një ndër kërkesat e studentëve është edhe vetingu për pedagogët.
Protesta mbështetet edhe nga vetë pedagoët, që kërkesat e tyre i quajnë legjitime. Shkrimtari e pedagogu i letërsisë në Universitetin e Tiranës, Agron Tufa, thotë se për studentët tarifat janë të papërballueshme, kushtet e padurueshme që nga auditorët deri tek konviktet e sistemi korruptive e klientelist qeveritar. Por për pedagogun Agron Tufa më jetike mbetet e ardhmja e studentëve pas studimeve, “shumë prej tyre kanë një të ardhme të zymtë kur mbarojnë studimet, prandaj unë e lexoj atë si formë proteste për sistemin e dështuar politik”, thekson Agron Tufa.
Ndër kërkesat kryesore të studentëve janë ulja ose përgjysmimi i tarifave studentore, rritja e buxhetit shtetëror për investime në fakultete, përmirësim infrastrukturor të fakulteve, duke shtuar laboratorët e të tjera.
Marrë nga Deutsche Welle
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



