E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pezullohet rivlerësimi i pronave
Lajme

Pezullohet rivlerësimi i pronave

E deklaroi vetë Rama por ministri Malaj ndryshon mendje


Naim Noka

Sikurse shumë herë të tjera, qeveria e Edi Ramës po na dëshmon se nuk mban as premtimet që i bën vetë kryeministri.  Ai deklaroi rreth dy muaj më parë se në fund të shtatorit 2024 do të  miratohej ligji për rivlerësimin e pronave.

🎥VIDEO- Deklarata e Ramës🎥

Ligji për rivlerësimin e pronave, i cilësuar si një nismë për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset që të rivlerësojnë pronat me një barrë më të ulët tatimore, është kthyer tashmë në një farsë të zgjatur, që ka ndikuar thellësisht në tregun e pasurive të paluajtshme.

Vetë kryeministri deklaroi me bujë se taksa prej 5% do të ishte një lehtësim për të gjithë, duke e promovuar këtë si një reformë që do të hynte në fuqi nga fundi i shtatorit.

Por çfarë ndodhi më pas?

Deklaratat e tij mbeten thjeshtë në videon live  nga takimi me punonjësit e Kadastrës, ndërsa Ministria e Financave, nën drejtimin e Petrit Malajt, pezullon projektligjin duke e shtyrë zbatimin për vitin 2025. Arsyeja?
Sipas Malajt, ndryshimet në çmimet e referencave të pronave duhet të përfundojnë më parë.

E gjithë kjo ka sjellë një kaos në tregun e pasurive të paluajtshme, me qytetarët që presin kot më kot për të përfituar nga ulja e premtuar e taksave. Ndërkohë, sektori i ndërtuesve duket se është i vetmi që po përfiton, duke vazhduar të shesë pronat e tij pa u shqetësuar nga pezullimet.

A është kjo thjesht rastësi apo një tjetër manovër e qëllimshme e qeverisë për të favorizuar ndërtuesit, një sektor që ka qenë gjithmonë në aleancë të ngushtë me politikën shqiptare?

Ky pezullim i ligjit tregon mungesën e plotë të përgjegjësisë nga ana e qeverisë. Qytetarët janë lënë në një pozitë të pashpresë, ndërsa ndërtuesit vazhdojnë të përfitojnë nga privilegjet që ligjet e zvarritura u sjellin. Dhe, nëse rriten çmimet e referencave, rivlerësimi i pronave nuk do të jetë më i dobishëm për shumë pronarë, duke u kthyer në një barrë edhe më të madhe.

Në fund të fundit, a është kjo një mungesë koordinimi, apo një skemë e qëllimshme për të favorizuar disa në kurriz të shumicës? Apo manovër para zgjedhjeve?

Koha do ta tregojë, por një gjë është e sigurt: Rama dhe qeveria e tij e kanë humbur edhe një herë besimin e qytetarëve, duke treguar se prioritetet e tyre janë gjithnjë të lidhura me interesa të veçanta politike, ekonomike dhe mbi të gjitha kalkulime elektorale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.