E ka parë kush Ferit Hoxhën? Pllakos heshtja e diplomacisë shqiptare
Kryediplomati asnjë reagim pas vendimit të Hagës për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së
Në një ditë kur vendimi i Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka tronditur Kosovën dhe ka sjellë reagime nga Tirana, Prishtina e kancelaritë evropiane, një pyetje qarkullon: ku është Ferit Hoxha?
Kryediplomati shqiptar nuk ka bërë deri tani një reagim publik për aktgjykimin e Gjykatës Speciale. Asnjë deklaratë, asnjë qëndrim i posaçëm, asnjë mesazh nga ministri në një prej ditëve më të rëndësishme për Kosovën dhe shqiptarët.
Kryeministri Edi Rama e ka dhënë ndërkohë qëndrimin e tij, duke e cilësuar vendimin me fjalën “marre”. Por duket se kjo nuk ka mjaftuar që edhe diplomacia shqiptare të gjejë fjalët e veta.
Ndoshta ministri është pa internet. Ose ndoshta diplomacia shqiptare po pret sinjalin e radhës nga Kryeministria.
Ironia bëhet edhe më e fortë kur bëhet fjalë pikërisht për Ministrinë e Jashtme, institucioni që duhet të artikulojë qëndrimin zyrtar të Shqipërisë në raport me zhvillime që prekin drejtpërdrejt Kosovën dhe rajonin.
Deri tani, megjithatë, nga ministri Hoxha nuk ka ardhur një reagim publik i posaçëm për vendimin.
Kjo heshtje ka ushqyer kritikat se politika e jashtme shqiptare po funksionon gjithnjë e më shumë në varësi të qëndrimeve të Kryeministrisë. Një interpretim politik ky, që qeveria mund ta kundërshtojë, por që mungesa e një qëndrimi të qartë nga kryediplomati e lë hapur si debat.
Në fund të fundit, kur flet Rama, flet qeveria. Por kur hesht ministri i Jashtëm, pyetja është: kush po e bën diplomacinë?
Dhe për momentin, për Ferit Hoxhën përgjigjja duket të jetë… asnjë fjalë për Hagën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



