“E pafytyra” Diella, aktorja kërkon 1 milionë euro nga shteti për imazhin
Telashe të reja shfaqen në horizont për kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e tij qeveritar.
Pas zhvillimeve që përfshinë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, një tjetër figurë e lidhur me qeverinë rrezikon pezullimin. Këtë herë bëhet fjalë për ministren virtuale “Diella”, e cila është përfshirë në një proces gjyqësor.
Aktorja e Teatrit Kombëtar, Anila Bisha, imazhi dhe zëri i së cilës janë përdorur për krijimin e avatarit qeveritar, ka depozituar në Gjykatën Administrative një kërkesë për sigurim padie. Palë në këtë proces janë Këshilli i Ministrave, kompania Apel shpk, AKSHI si dhe kryeministri Rama.
Bisha kërkon që, deri në përfundim të procesit gjyqësor, të ndalohet përdorimi i të dhënave të saj personale për avatarin “Diella”. Në padinë që pritet të depozitohet, ajo ka parashikuar edhe një kërkesë për dëmshpërblim prej 1 milion eurosh për dëmtim të imazhit, duke argumentuar se të dhënat e saj janë përdorur pa autorizim.
Sipas aktores, kontrata fillestare parashikonte që imazhi i saj të përdorej vetëm si asistente virtuale për shërbimet në e-Albania. Shfaqja e avatarit “Diella” si ministre për Inteligjencën Artificiale, sipas saj, është bërë pa miratimin e saj dhe në shkelje të marrëveshjes.
Përveç dëmshpërblimit financiar, ajo kërkon që qeveria, AKSHI dhe kompania Apel të paguajnë edhe kamatat ligjore mbi dëmin e pretenduar deri në ekzekutimin e një vendimi të mundshëm gjyqësor.
Nëpërmjet kërkesës për sigurim padie, Bisha synon që imazhi dhe zëri i saj të mos përdoren më në avatarin e ministres virtuale deri në përfundimin e procesit gjyqësor, duke lënë të hapur pyetjen nëse “Diella” do të pezullohet nga përdorimi institucional.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




