E paimagjinueshme, vargu i protestuesve arrin mbi 1.5 km
Pamje mbresëlënëse janë regjistruar nga zemra e Tiranës, ku mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë në një marshim të gjerë proteste që ka përfshirë disa nga akset kryesore të kryeqytetit.
Kolona e protestuesve shtrihet nga zona e njohur si “9-katëshet” deri në afërsi të “Xheko Imperial”, duke krijuar një varg njerëzor që tejkalon 1.5 kilometra gjatësi. Prania masive dhe ritmi i pandalur i marshimit dëshmojnë për një mobilizim të rrallë qytetar.
Protestuesit kanë artikuluar qartë kërkesën e tyre kryesore: largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra. Sipas tyre, kjo lëvizje nuk do të ndalet dhe do të vijojë deri në përmbushjen e kësaj kërkese.
Gjatë marshimit janë dëgjuar vazhdimisht thirrje si “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Atdheu nuk shitet”, “Poshtë komunizmi”, “Ju erdhi fundi” dhe “Bashkohuni me ne”, duke reflektuar një klimë të fortë pakënaqësie dhe revolte qytetare.
Protestës i janë bashkuar qytetarë të të gjitha moshave – të rinj, familjarë me fëmijë dhe të moshuar – duke e kthyer atë në një lëvizje gjithëpërfshirëse që tejkalon kufijtë e një proteste të zakonshme. Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, kjo është një kauzë që po bashkon shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
Me flamuj kuqezi dhe simbole kombëtare, shumë prej të rinjve kanë marshuar në rrugët e Tiranës duke shprehur angazhimin e tyre dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vendit.
Pakënaqësia e shprehur në këtë protestë lidhet me një sërë çështjesh që prekin jetën e përditshme të qytetarëve, përfshirë korrupsionin, menaxhimin e dobët të shërbimeve publike, gjendjen e sistemit shëndetësor, arsimin dhe infrastrukturën.
Marshimi i sotëm konsiderohet si një nga mobilizimet më të mëdha qytetare të kohëve të fundit në kryeqytet, ndërsa pjesëmarrësit paralajmërojnë vazhdimësi të protestave në ditët në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



