E zbulon Alimehmeti: Ja pse PD nuk po negocion me Arlind Qorin
I ftuar në emisionin “Oponenca” në News24, Ilir Alimehmeti, një nga të mandatuarit nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, për negociatat me partitë opozitare, theksoi nevojën urgjente për një bashkim të plotë të opozitës, sidomos në prag të zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës.
“Nëse opozita qëndron e bashkuar, nuk ka pushtet që nuk sfidohet. Neve na intereson rezultati në fund të ditës – jo protagonizmi personal,” deklaroi Alimehmeti.
Ai shtoi se janë duke u zhvilluar negociata intensive me partitë aleate për përzgjedhjen e një kandidati të përbashkët dhe ndërtimin e një koalicioni të gjerë opozitar, me Partinë Demokratike në rolin udhëheqës.
“PD, si partia më e madhe opozitare, duhet të marrë përgjegjësinë për të udhëhequr një front të bashkuar. Është momenti për reflektim dhe bashkim,” theksoi ai.
Mësime nga e kaluara dhe kufij ideologjikë
Duke iu referuar zgjedhjeve të kaluara parlamentare, Alimehmeti pranoi se mungesa e koordinimit dhe aleancave të duhura ishte një gabim që nuk duhet të përsëritet.
Si shembull pozitiv ai përmendi bashkëpunimin aktual të forcave opozitare në Këshillin Bashkiak të Tiranës, të cilat kanë vepruar të unifikuara kundër politikave të kryetarit Erion Veliaj.
Në lidhje me emrat e mundshëm për kandidaturën e përbashkët për Bashkinë e Tiranës, Alimehmeti përjashtoi kategorikisht Arlind Qorin dhe Lëvizjen Bashkë, duke argumentuar se nuk janë pjesë e spektrit të djathtë.
“Zoti Qori nuk është pjesë e spektrit tonë politik. Aleanca përfshin vetëm forca të djathta dhe opozitare tradicionale,” u shpreh ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



