E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Eco Tirana tender 400 mijë euro për kazanë të përdorur
Lajme

Eco Tirana tender 400 mijë euro për kazanë të përdorur

Kompania publike e pastrimit “Eco Tirana” ka vendosur të shpenzojë mbi 430 milionë lekë të vjetra ose rreth 400 mijë euro për të blerë kazanë dhe pajisje të tjera teknike të përdorura. Dy tendera për këto objekte janë shpallur në Regjistrin e Parashikimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik dhe pritet të zhvillohen gjatë muajit Prill të vitit 2024.

Tenderi i parë ka për objekt “Blerje platformë e përdorur për mbledhjen e inerteve”, me fond limit rreth 130 milionë lekë të vjetra. Ndërsa prokurimi i dytë është me objekt “Blerje Kazanë të përdorur 1700 litra”, me fond limit 30.500.000 lekë të reja.

Është e paqartë se përse “Eco Tirana” ka zgjedhur të blejë pajisje të përdorura, në një kohë që kjo strukturë përdor çdo vit fonde në vlerën dhjetëra miliona euro nga Buxheti i Bashkisë së Tiranës.

Në nëntor të vitit 2023, Këshilli Bashkiak i kryeqytetit miratoi kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për të zgjeruar territorin e shërbimit të mbledhjes dhe largimit të mbetjeve urbane nga shoqëria “Eco Tirana”.

Këshilltarët opozitarë e kundërshtuan këtë vendim, duke vënë theksin tek dyshimet që ekzistojnë mbi lidhje të mundshme me mafian “Ndrangheta” të aksionerëve të ortakut italian të shoqërisë “Eco Tirana”, e cila quhet “AGSM Holding”.

Pas asaj mbledhje, anëtari i Këshillit Bashkiak nga Partia Demokratike, Ilir Alimehmeti, deklaroi se kishte pyetur nëse “AGSM” apo ndonjë prej aksionerëve të saj është nën hetim nga anti-mafia italiane, por siç tha ai, nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga bashkia e Tiranës apo drejtuesit e Këshillit Bashkiak.

Shoqëria publike “Eco Tirana” është krijuar në vitin 2016.

Bashkia e Tiranës ka 51 përqind të aksioneve, ndërsa kompania italiane, “AGSM Holding” zotëron 49 përqind.

Pak vite më parë, anti-mafia italiane zhvilloi hetime dhe kreu disa arrestime në radhët e disa aksionarëve të “AGSM Verona”, mbi dyshimet se kishin favorizuar qarkullimin e parave të mafias më të madhe europiane, “Ndrangheta”.

Së fundmi, “Eco Tirana” ka regjistruar aferën e radhës me tenderin me objekt “Blerje pjesë këmbimi për mjete”. Po blihen aq shumë pjesë këmbimi sa duket sikur “Eco Tirana” është ndonjë kompani e tregtisë me shumicë.

Në listën e publikuar shohim se do të blihen këmbë kamioni, makina, gomina, balestra. Këto mund të sigurohen nga kompania që riparon makinat kur kanë defekte, ndërkohë që kjo shoqëri i ka shumicën e mjeteve të reja dhe brenda garancive. Por, si gjithmonë njerëzit e kryebashkiakut Veliaj shpikin prokurime me fonde marramendëse me qëllime përfitimi.

Kjo aferë ka nisur me anashkalimin e rregullave kryesore të Prokurimeve Publike, ku si çdo herë bëhet fjalë për mungesën e konkurrencës. Në kontratën e publikuar vëmë re se janë paraqitur 3 oferta të ndryshme. Ashtu siç është bërë e zakonshme, njerëzit e kryebashkiakut Veliaj kanë skualifikuar ofertat më të lira dhe lanë në proces vetëm kompaninë “Poëer Industries” shpk.

Kjo kompani, në mungesë të konkurrencës u shpall fituese, duke përfituar jo pak, por 400 milionë lekë. Ne nuk e dimë sesa fiton Lali Eri nga ky tender, por duke qenë pronar i 51 përqind të aksioneve, kuptojmë qëllimin pse zgjidhet oferta më e shtrenjtë.

Për riskun e lartë të korrupsionit me fondin e prokuruar, tenderi është vlerësuar nga Open Data Albania me “Flamur të kuq”.

Kjo skemë ndiqet në çdo tender, ku Veliaj përdor shoqërinë “Eco Tirana” për të kënaqur miqtë e tij dhe për të pastruar para. Ndërkohë vlen të përmendet se “Poëer Industries” shpk është një firmë që po përfshihet gjithmonë e më shumë në tenderë me shkelje. Në muajt e fundit ka përfituar tenderë nga bashkia Lushnje, Elbasan, Durrës dhe Kavajë.

Në këtë listë veçojmë tenderët e përvitshëm që përfiton nga  Bashkia Tiranë për kapakët e pusetave. Çdo vit këtë tender e merr kjo kompani pa garë dhe me vlerë që rritet.

Pse u fshehën pronarët e vërtetë të kompanisë fituese?

Andi Marku është bërë pronar i kompanisë “Poëer Industries” pasi ia kaluan aksionet e tyre Maksim Shena dhe Olta Xhaferri. Ata u bënë “të famshëm” për një tender të veçantë në vitin 2021. Tridhjetë e pesë mijë USD do të shpenzoheshin për riparimin e makinës së blinduar, me të cilën lëviz kryeministri Edi Rama, për arsye sigurie. Tenderi me objekt “Riparim i automjetit blind” është zhvilluar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, një strukturë kjo që kujdeset për rehatinë dhe luksin e kryeministrit. Pjesa më e madhe e parave do të investoheshin tek gomat e makinës së blinduar, të cilat duhet të jenë të cilësisë më të lartë, duke ofruar siguri maksimale për Ramën.

Në garë për riparimin e makinës së blinduar qeveritare në atë kohë kanë marrë pjesë “Bushi-Servis”, “Alstezo” dhe “Kadiu”, të cilat kanë paraqitur oferta më të ulëta. Por, fituese është shpallur “Power Industries”, me ofertën më të lartë.

Pas “Power Industries” në fakt janë dy klientë të pushtetit, të cilët kanë bërë kërdinë në buxhetin e shtetit, me tenderë të dyshimtë. Ata janë Maksim Shena dhe Olta Xhaferi. Dyshja kishte marrë vitet e fundit rreth 150 tenderë, shumica në mënyrë abuzive. Për të maskuar pronësinë e kompanisë ata ia kaluan aksionet të 100% administratorit Marku.

Lidhjet mafioze të pronarëve të “Eco Albania”

Më 22 Qershor 2016 u themelua në Tiranë kompania “Eco Albania”. “Kjo kompani është në bashkëpronësi e Bashkisë së Tiranës (51%) dhe kompanisë ‘ASGM Holding Albania’ (49%). Aktualisht kjo kompani ka një kontratë ekskluzive me Bashkinë e Tiranës që synon ingranimin e saj në formë monopoli në trajtimin e mbetjeve të qytetit. Aksionari AGSM-Holding-Albania në dukje është një kompani e bashkisë së Veronës, por zbardhja e interesave përbërës të saj zbulon se ajo është e ndarë në: AGSM Verona – 75% dhe AMIA – Verona 25%. Kompania AMIA-Verona përfaqësohet nga biznesmeni Andrea Miglioranzi dhe është kompani private e cila ka një akses të veçantë në Bashkinë e Veronës. Zoti Miglioranzi më herët ka qenë i përfshirë si përfaqësues i disa kompanive të tjera italiane të cilat janë hetuar nga prokuroria italiane për lidhje me organizatën ‘Ndragheta’. Biznesmeni Miglioranzi është njeri tepër i afërt i ish-kryebashkiakut të Veronës, Flavio Tosi. Ky i fundit nga ana tjetër ka qenë subjekt i një skandali mediatik, sepse pak kohë pasi ai kishte mohuar çdo lidhje me organizatën ‘Ndragheta’, u publikua një foto e tij, ku pozonte në një përqafim vëllazëror me Antonio Giardini-n, i cili konsiderohet si pjesëtar i organizatës mafioze.

Ndryshimet e pronësisë dhe fshehja e aksionerëve

AGSM AIM S.P.A është një shoqëri me seli ligjore në Verona, Lungadice Galtarossa nr. 8, cap 37133, regjistruar në Regjistrin e Shoqërive në Verona, me kod fiscal dhe partita IVA nr. 00215120239, përfaqësuar nga Z. Giampietro Cigolini, shtetas italian. (Sipas aktit të themelimit të shoqërisë aksionare “AGSM Holding ALBANIA” shpk, datë 20.04.2016). Shoqëria në 28.01.2021 ka bërë ndryshimin e emrit nga AGSM Verona S.P.A ne AGSM AIM S.P.A.

AMIA Verona s.p.a është një shoqëri me seli ligjore në Verona, Bartolomeo Avesani n. 31, cap 37135, regjistruar në Regjistrin e Shoqërive në Verona, me kod fiskal dhe partita IVA nr. 02737960233, përfaqësuar nga Z. Andrea Miglioranzi, shtetas italian. (Sipas aktit të themelimit të shoqërisë aksionare “AGSM Holding ALBANIA” shpk, datë 20.04.2016).

Theksojmë se kjo shoqëri ka thyer ligjin për regjistrimin e të dhënave në QKB, ku subjektet detyrohen të tregojnë pronarët përfitues. Deri tani, megjithëse ka kaluar afati, AMIA nuk ka regjistruar të dhëna në regjistrin e pronarëve përfitues RPP.

Shoqëria bijë “Eco Tirana” ka të regjistruar si administratorë Renato Guarnieri, Frederico Berto, Andrea Benati, Taulant Tusha, Diego Testi, Mirco Caliari. “AGSM Holding ALBANIA” sha zotëron 49% të aksioneve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.