Edhe nga Kuçova, Rama kërkon të implikojë NATO-n në aferën e portit
Kryeministri Edi Rama e përdori edhe inaugurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, që të implikojë Aleancën e Atlantikut të Veriut në mega-aferën e Portit të Durrësit.
Pasi ka vendosur të japë portin mijëravjeçar të Durrësit, një pikë kyçe strategjike e vendit, për ndërtim pallatesh, Rama ka njoftuar se do të japë 450 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.
Ndërkohë, prej kohësh, Rama thotë se ky port mund të jetë bazë detare e NATO-s, e cila do kontribuojë financiarisht për të.
“Jemi shumë besimplotë që mund t’i gëzohemi lajmit për përfshirjen e aleancës,” tha Rama sot.
Kujtojmë se NATO ka refuzuar deri tani të jetë pjesë e këtij projekti.
Ndërkohë nga ceremonia e përurimit të bazës ajrore në Kuçovë, Rama premtoi se Shqipëria do të forcojë më tej kapacitetet e saj mbrojtëse, pas dy helikopterëve dhe 3 dronëve të blerë së fundmi.
Hapjen e bazës së re të aleancës, kreu i qeverisë e cilësoi si një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, i cili nuk mbetet i parrezikuar nga kërcënimet ruse.
“Jetojmë në një epokë tjetër dhe Shqipëria ndodhet në anën tjetër duke mirëpritur me krenari aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë e cila është në radhë të parë një aleancë vlerash në mbrojtje të paqes. Jam i lumtur që një punë e nisur prej kohësh arriti të përfundojë dhe sot me ne janë plot miq e partnerë që do të doja t’i falënderoja në mënyrë të posaçme. Kjo bazë është e transformuar dhe e gatshme me një rëndësi që i kalon kufijtë e Shqipërisë.
Është një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, i cili është një rajon, jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet e Federatës Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti, pjesë e ripërtëritjes së flotës sonë ajrore. Dy helikopterët e rinj dhe dronët janë pjesë e një rritje që do të vazhdojë. Falënderoj të gjithë banorët e zonës për durimin që kanë treguar gjatë rehabilitimit të kësaj baze”, tha Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



