E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Edhe “Shqiponja” nën këmbët e Edi Ramës
OP-ED

Edhe “Shqiponja” nën këmbët e Edi Ramës

Banditizmi nuk është vetëm mjet për të marrë dhe mbajtur pushtetin, por mesa duket është e gjithë filozofia e Edi Ramës. Sepse kur Enver Hoxha vendosi ta personalizonte këtë vend, e bëri vërtetë sipas vizionit të tij, por iu referua një ideologjie. Ishte mënyra se si ai e lexonte ideologjinë marksiste duke i shtuar edhe leninizmin. E shtetëzoi ekonominë dhe hoqi të drejtën e pronës, ndaloi besimin fetar, vendosi diktaturën e ploretariatit (jo bashkëqeverisjen) në vend të pluralizmit demokratik, ndaloi mediat, lirinë e shprehjes, në bazë të marksizëm-leninizmit dhe sigurisht stalinizmit. Ndërsa Edi Rama po e personalizon këtë vend me filozofinë e tij, me shijet e tij. Ky është jo vetëm më banal, më vulgar e më i shpifur, por edhe më i rrezikshëm në perspektivë.
Edi Rama e harton buxhetin e shtetit me filozofinë e tij për të ndarë paratë me miqtë. Më shumë se 1 miliardë euro në formë investimesh direkte, borxhi të drejtpërdrejtë, apo borxhi të kamufluar si PPP, po i shpërndan nëpër rrugët që ua ka dhënë miqve dhe ortakëve të tij. E personalizon kështu menaxhimin e parave tona, duke e zhytur të ardhmen tonë në një tunel pa drita dhe pa dalje.
Personalizoi shëndetësinë, duke ua shpërndarë shërbimet themelore miqve dhe ortakëve të tij, personalizoi arsimin duke e shndërruar arsimin publik në shërbëtor të bizneseve private që quhen shkolla dhe universitete, privatizoi parlamentin që e shndërroi në strehën e të kërkuarve nga drejtësia.
Prej 5 vjetësh po ndërton qytetet në bazë të shijeve të tij personale. Jo vetëm pa filozofi, por pa projekt, pa studim fizibiliteti dhe pa tendera. Pasi ka bërë qendrat e qyteteve periferike me pllaka majolike që kushtuan qindra milionë euro, u është turrur simboleve kombëtare në Tiranë me filozofinë personale. Stadiumi kombëtar, në vend të një simboli kombëtar, të një vepre – monument kulture, është një përbindësh me bisht, që bishtin e ka më të rëndë se trupi. Simboli tjetër, Teatri Kombëtar po shembet me ligj, ndërsa Shqiponja e vetmuar në periferi, nuk meritonte asnjë vendim. Ky është dënimi që na vjen nga personalizimi që një njeri po i bën një vendi që u takon të paktën 4 milionë shqiptarëve, por që, për shkak të tij, sot mezi mban më pak se gjysmën.
“Kish dënuar Zeusi që në truall të atdheut/ mëria e armikut atij dhunë t ‘i bënte”, shkruante Homeri për Hektorin e Trojës, që u tërhoq zvarrë nga Akili pas vrasjes. Ndërsa Troja e trembur në palcë vetëm shikonte dhunimin e turpshëm që i bëhej luftëtarit – simbol. Të jenë dënuar kështu edhe simbolet tona? Ndërsa shqiptarët e trembur rrinë dhe vështrojnë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.