Edi Rama “falet” sërish te Tom Doshi dhe Shpëtim Idrizi për të siguruar mazhorancën në Parlament
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit, e cila nisi me një minutë heshtje për nder të ndarjes nga jeta të ish-deputetit Gerti Bogdani dhe ku opozita më pas u largua, mazhoranca arriti të miratojë ligje falë votave të deputetëve të PSD-së dhe PDIU-së. Kjo situatë shënon edhe një herë varësinë e kryeministrit Edi Rama nga aleancat e tij me partitë e drejtuara nga Tom Doshi dhe Shpëtim Idrizi për të ruajtur stabilitetin e shumicës.
Ligjet kalojnë falë 1 vote të PDIU dhe 2 të PSD
Ligjet në fjalë u miratuan me 72 dhe 73 vota, një kuorum që nuk do të ishte arritur pa ndihmën e deputetëve të PSD-së dhe PDIU-së. Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda fillimisht abstenuan, por më pas u larguan nga salla, ndërkohë që deputetët Nusret Avdulla dhe Gëzim Ademaj siguruan kuorumin për miratimin e ligjit të prodhimeve organike. Nga ana tjetër, Gledis Çeliku dhe Gertja Deda të PSD-së kontribuuan me votat e tyre për të mbajtur shumicën parlamentare në fuqi, duke garantuar votimin e ligjeve të tjera.
PDIU dhe PSD, “aleatët e heshtur” të Ramës
Shpëtim Idrizi, i cili më parë ka qenë në opozitë, është afruar gjithnjë e më shumë me mazhorancën, sidomos pas përplasjes me Sali Berishën për kandidimin e Fredi Belerit në Himarë. Në shumë raste, PDIU ka mbështetur ligjet e PS-së. Nga ana tjetër, PSD e Tom Doshit ka qenë gjithmonë një mbështetës i qeverisë Rama, pavarësisht krisjeve të kohëve të fundit për shkak të shkarkimeve në Shkodër. Megjithatë, situata duket se është stabilizuar, dhe votat e PSD-së vazhdojnë të mbajnë mazhorancën në fuqi.
Ligje për studentët e mjekësisë dhe mandati i Besnik Dervishit
Seanca e Kuvendit miratoi gjithashtu ligjin që prek studentët e mjekësisë, duke vendosur kufizime për ata që synojnë të largohen jashtë vendit. Një tjetër moment i rëndësishëm ishte edhe rinovimi i mandatit të Besnik Dervishit si Komisioner për të Drejtën e Informimit, një vendim që kaloi pa shumë debate, falë votave të sigurta të mazhorancës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



