E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Edi Rama kërkon votën për PS në këmbim të ‘pasaportës së BE-së’
Lajme

Edi Rama kërkon votën për PS në këmbim të ‘pasaportës së BE-së’

 

Publik.al | Politikë

Nga një skenë që më shumë ngjante me një TED Talk motivues, kryeministri Edi Rama ka shpalosur sot programin “Shqipëria 2030”, ku përveç premtimeve të njohura për zhvillim e integrim, ai ka sjellë edhe një element të ri në repertorin politik: një pasaportë evropiane të dizajnuar për shqiptarët, të cilën, sipas tij, do ta marrin pas anëtarësimit në BE – nëse votojnë PS-në më 11 maj.

“Nëse doni pasaportën e BE-së, votoni numrin 5 në fletën e votimit,” – tha Rama, duke e kthyer pasaportën nga një e drejtë integrimi, në një shpërblim elektoral.

Një spektakël me yje dhe pasaporta

Rama foli për “yjet që janë rreshtuar në fatin e Shqipërisë”, për “një vrull të jashtëzakonshëm në negociatat me BE-në”, dhe për një mundësi historike që, sipas tij, “nuk duhet humbur”.

Ai theksoi:

“Kush e do pasaportën e BE-së duhet të japë kontribut. Ky është investimi i votës në qendër të fletës së votimit ku shkruan numri 5, PS dhe Edi Rama.”

Në sfond, Rama reklamoi me krenari fotot e tij me liderë të BE-së dhe prezantoi edhe një model të ri të pasaportës shqiptare pas anëtarësimit – një dizajn që ngjan çuditërisht me pasaportën e re zvicerane të prezantuar në shkurt.

Nga kontrolli kufitar te manipulimi elektoral

Kryeministri pranoi se shqiptarët sot udhëtojnë pa viza në zonën Schengen, por sipas tij, përballen ende me kontrolle shtesë. Kjo, tha ai, do të marrë fund me pasaportën e BE-së – një objektiv që, ndryshe nga çdo logjikë diplomatike, tani varet nga rezultati i zgjedhjeve të 11 majit.

“Na jepni mandatin e katërt dhe do t’i çojmë një mesazh të fortë Brukselit,” – vijoi Rama, duke përzier retorikën integruese me kushtëzimin elektoral.

Premtime të ricikluara, model i njohur

Në vend të një programi të detajuar politik për 5 vitet e ardhshme, “Shqipëria 2030” u mbush me preztime motivuese dhe slogane të bukura, por me pak thelb konkret. Pasaportat, BE-ja, zhvillimi dhe vendet e punës ishin të njëjtat fjalë kyçe të fushatave të mëparshme.

Por këtë herë, Rama shkoi më larg – duke paraqitur një dokument zyrtar të së ardhmes si karrem elektoral, pa asnjë garanci ligjore dhe institucionale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.