Egla Ceno reagon pas vendimit të gjykatës: Do ta apeloj!
Nuk do tërhiqem nga kjo betejë
Aktorja Egla Ceno ka reaguar publikisht pas vendimit të gjykatës që e dënon për deklaratat e bëra në “Big Brother”, ku ajo kishte pohuar se ishte ngacmuar seksualisht në vendin e punës nga drejtuesi i spektaklit, Saimir Kodra.
E ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, Ceno u shpreh se nuk e komenton vendimin për sa kohë nuk është zbardhur, por konfirmoi se do ta ankimojë dhe do ta ndjekë çështjen në të gjitha instancat ligjore.
“Nuk marr përsipër të flas për vendimin e gjykatës, ende nuk është zbardhur. Avokati më ka telefonuar, nuk kam qenë vetë prezente në seancë. Ai më tha që unë dënohem si fajtore dhe detyrohem të shkruaj në një media një përgënjeshtrim. Vendimi nuk është zbardhur, nuk dihet mbi çfarë arsyetimesh është marrë,” tha aktorja.
Ceno shtoi se është e vendosur ta çojë përpara këtë betejë, të cilën e quan një kauzë të rëndësishme shoqërore.
“Më vjen mirë që kjo kauzë është në vëmendjen e të gjithëve, sepse ky është dhe qëllimi. Kam një video në Instagram ku kam folur fjalën e fundit në seancë dhe ajo video është fjalë për fjalë ajo që mendoj. Nuk do tërhiqem, me mjete ligjore do ta vazhdoj këtë betejë, dhe dy jetë të kisha do i shfrytëzoja për ta vazhduar këtë betejë,” theksoi ajo.
Egla Ceno tha se rrëfimi i saj në “Big Brother” ka qenë i ndërgjegjshëm dhe në funksion të një kauze sociale.
“Unë bëra një rrëfim personal për një kauzë të lartë sociale, nuk u shpreha padashje apo në emocione të momentit. E thashë në Big Brother sepse konteksti i asaj bisede ishte i tillë. Do ta ankimoj vendimin dhe do i shkoj deri në fund. Kjo çështje kërkon durim dhe unë kam gjithë durimin e botës për ta çuar përpara,” u shpreh Ceno.
Aktorja shtoi se pas deklaratës publike nuk ka pasur asnjë kontakt me Arbër Kodrën dhe se çdo veprim do të zhvillohet tashmë brenda institucioneve përkatëse.
“Nuk më lidh asgjë me zotërinë në fjalë, nuk kam folur dhe as takuar pas deklaratës. Çfarë kam për të thënë do zhvillohen brenda institucioneve,” përfundoi ajo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



