Ilir Allkja denoncon kërcënimin ndaj Egla Cenos
“Nuk është liri shprehjeje, por kërcënim publik”
Mjeku Ilir Allkja ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me një koment të publikuar në Instagram, të cilin ai e konsideron si kërcënim të hapur ndaj jetës dhe integritetit të aktivistes dhe artistes Egla Ceno.
Allkja e ka cilësuar gjuhën e përdorur në koment si degraduese dhe të papranueshme, duke argumentuar se kërcënimet ndaj grave dhe mesazhet që lidhen me djegien apo shkatërrimin e familjes nuk mund të trajtohen si pjesë e lirisë së shprehjes.
“Kjo fotografi nuk është thjesht një koment i shëmtuar në Instagram — është një kërcënim i hapur publik ndaj jetës dhe integritetit fiziko-moral të një gruaje, aktivisteje dhe artisteje”, shkruan mjeku në reagimin e tij.
Më tej, Allkja dënon gjuhën e përdorur ndaj grave dhe kërkon reagimin e institucioneve të drejtësisë ndaj kërcënimeve të tilla.
“Dhuna verbale, gjuha degraduese ndaj grave dhe kërcënimet me djegie apo shkatërrim familjar nuk janë ‘liri shprehjeje’ të vandalëve të rrilindjes, por vepra penale që duhet të marrin përgjigjen e menjëhershme të organeve të drejtësisë”, shprehet ai.
Në fund të reagimit, mjeku ka shprehur solidaritetin e tij me Egla Cenon, duke theksuar se liria e fjalës dhe e artit nuk duhet të vihet nën presion nga kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes.
“Solidaritet me Egla Cenon! Liria e fjalës dhe e artit nuk mund të terrorizohet nga gjuha e mllefit”, përfundon Allkja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




