Eksplozivi në makinën e ish-kandidatit për deputet, policia zbulon se autori është vëllai i tij
Policia e Bulqizës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mesnatën e së premtes, ku një sasi eksplozivi shpërtheu në automjetin e Elton Debreshit, aktualisht kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Rezulton se autori i dyshuar është pikërisht vëllai i tij.
Pas hetimeve, blutë vunë në pranga 29 vjeçarin A.Debreshi dhe thanë se ai është “autori i dyshuar i vendosjes së lëndës plasëse në automjetin tip ‘Mercedez Benz’, që rezulton në pronësi të vëllait të tij, shtetasit Elton Debreshi”.
Ndaj të riut janë ngritur akuzat për “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.
Blutë nuk bëjnë me dije asnjë detaj lidhur me shkakun e ngjarjes.
Elton Debreshi ka qenë kandidat i pavarur për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit.
NJOFTIMI I PLOTE I POLICISE
Zbardhet ngjarja e ndodhur mesnatën e datës 27.08.2021, ku automjetit të shtetasit E. D., iu vendos një sasi e vogël lënde plasëse.
Vihet në pranga autori i dyshuar.
Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mesanatën e datës 27.08.2021, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë nën drejtimin e Prokurorisë, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, dhe si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi:
A. D., 29 vjeç, banues në Bulqizë, pasi ky shtetas dyshohet se është autori i vendosjes së lëndës plasëse në automjetin tip ‘Mercedez Benz’, në pronësi të vëllait të tij shtetasit E. D.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



