Ekzekutimi i Devi Kasmit, çfarë po ndodh me të arrestuarit, hollësi nga hetimi
Në foto: Efthymiou Efthymious, greku i dyshuar si vrasësi i Devi Kasmit
Elton Hoxhallari, një nga të arrestuarit për ekzekutimin e Devi Kasmit në Tiranë të hënën e shkuar, ka firmosur procesverbalin, ku nuk pranon akuzat e prokurorisë për bashkëpunim në vrasje.
Hoxhallari u arrestua në datën 2 shkurt bashkë me Elton Halipajn, Malvin Dinellarin dhe grekun e dyshuar si ekzekutorin e Devi Kasmit, Efthymiou Efthymious.
Pas kontrollit në periferinë e Tiranës, policia gjeti edhe një vilë që shërbente si baza e grupit të drejtuar nga Aurel Hoxhallari, i cili është shpallur në kërkim dhe dyshohet se është koka e grupit dhe porositësi i vrasjes së Kasmit.

Vetë greku i dyshuar si personi që ekzekutoi Kasmin i ka mohuar akuzat ndaj tij dhe në deklarimet e tij në polici ka thënë se ka ardhur në Shqipëri për qejf.
‘Kam qëndruar disa herë te vila e Aurelit në Mëzez, por edhe në shtëpinë time me qira. Nuk kam lidhje me vrasjen për të cilën akuzohem dhe as me viktimën. Aurelin e njoh qëkur ka qenë emigrant në Greqi’. – ka deklaruar Efthymious, i cili përfaqësohet nga avokati, Saimir Visha.

Gjatë kontrollit në banesën me qira ku qëndronte, 41-vjeçarit Efthymious nuk iu gjet asgjë implikuese me vrasjen e Kasmit. Atu u gjetën rreth dy mijë euro, një sasi lekësh shqiptare, një pasaportë greke dhe një patentë greke, të dyja me emrin e tij, kartë debiti, një telefon Samsung S7 Edge i koduar.
Në foto: Vendngjarja dhe viktima, Devi Kasmi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



