Ekzekutimi në Vlorë, viktimës iu bë atentat 2 muaj më parë, ruhej gjithë kohën
Marjeni u ekzekutua me 6 plumba. Hetuesit thonë se i riu mund të jetë eliminuar për motive hakmarrje. Ndërkohë, dy vite më parë, Marjen Xhaferrajt i vranë nipin Endri Çaushaj në Durrës
Marjen Xhaferraj, 37-vjeçari që u ekzekutua mbrëmjen e së dielës në Vlorë, dyshohet se i fshihej hakmarrjes. Edhe pse ai lëvizte i armatosur, nuk mundi të shpëtojë dot nga plumbat e armikut të tij. Xhaferraj u qëllua për vdekje, teksa ishte ulur në një prej lokaleve në zonën e Lungomares, ndërsa shoqërohej nga një mik tij. Burime nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e plotë të ngjarjes, bëjnë të ditur se në vendngjarje janë marrë dëshmi të ndryshme përsa i përket autorit. Disa prej tyre e kanë përshkruar autorin të veshur sportiv dhe me një kapele në kokë, ndërsa u largua menjëherë nga vendngjarja duke përfituar nga errësira mes pallateve. Policia megjithëse ngriti disa pika kontrolli, nuk mundi ta arrestojë, ndërsa ka dyshime qe ekzekutori është ndihmuar edhe nga bashkëpunëtorët e tij. Xhaferraj njihej edhe me emrin Marjen Omeri dhe rezulton me precedentë te mëparshëm penale. Hetuesit dyshojnë se vrasja e 37-vjeçarit që banonte në lagjen “28 Nëntori” në Vlorë, ka lidhje me të shkuarën e tij. Po sipas të njëjtave burime nga policia e qytetit bregdetar, mësohet se 37-vjeçari ruhej nga persona të tjerë, si dhe mbante gjithmonë me vete një pistoletë. Një e tillë është gjetur në vendin e ngjarjes kur Marjeni u ekzekutua me 6 plumba. Hetuesit thonë se i riu mund të jetë eliminuar për motive hakmarrje. Ndërkohë, dy vite më parë, Marjen Xhaferrajt i vranë nipin Endri Çaushaj në Durrës. Hetuesit kanë marrë në pyetje familjarët e viktimës për të mësuar më shumë rreth konflikteve që mund të ketë pasur 37-vjeçari.
Atentati
Ndërkohë, mësohet se atentati ndaj “Renit” të Vlorës mbrëmjen e së dielës, nuk ishte i vetmi, por ama ishte i fundit pasi ai mbeti i vdekur në vend. Burime nga policia, bëjnë të ditur se ndaj babait të tre fëmijëve i është bërë tre herë atentat, por fatmirësisht herët e kaluara ai ka mundur t’u shpëtojë. Dy muaj më parë, viktima shpëtoi në një atentat të organizuar për ta eliminuar atë në një kazino në qytetin bregdetar. Por, kjo ngjarje nuk është bërë publike në atë kohë. Por ngjarja më e rëndë është ajo e datës 21 dhjetor të vitit 2015, ku mbeti i vrarë nipi i Marjan Xhaferrajt, në afërsi të Torres në Portin e Durrësit. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë shtetasi Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, nipi i Renato Omerit apo Marjan Xhaferrajt. Por, burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se kjo ngjarje mund të ketë qenë për 37-vjeçarin. Por ai ka mundur t’u shpëtojë breshërive të plumbave të kallashnikovit. Prej kësaj ngjarje theksojnë burimet, 37-vjeçari i kishte lëvizjet e kufizuara dhe ruhej nga persona të tjerë. Gjatë gjithë kohës ai qëndronte i armatosur. Në brez, Xhaferraj mbante një pistoletë në momentin kur u qëllua për vdekje në një lokal në Lungomare. Arma është gjetur nga Policia pranë trupit të tij të pajetë.
Hetimet
Burime nga Policia bëjnë me dije se autori para se ta qëllonte i thirri në emër “Reni” dhe menjëherë sapo Renato Omeri kthehu kokën qëlloi në drejtim të tij. Plumbat mësohet se e kanë kapur në trup dhe në kokë, ndërkohë që miku i tij i cili ishte në tavolinë, nuk ka arritur të identifikojë autorin. Menjëherë më pas vrasësi u largua qetësisht në këmbë, i thanë dëshmitarë Policisë. Ndërkohë pas vrasjes autori dyshohet se është larguar me një makinë, i ndihmuar edhe nga persona të tjerë. Policia shoqëroi 10 persona, ndërsa nuk ka mundur ende të identifikojë autorin. Renato Omeri mësohet se kishte shkuar për vizitë tek motra e tij dhe kishte dalë për të pirë një kafe poshtë pallatit, kur iu bë atentat. Vetëm dy muaj më parë Renato Omeri i ka shpëtuar një atentati tjetër në një kazino në Vlorë. Atentati i dy muajve më parë, është bërë vetëm pak metra më larg se atentati që u bë mbrëmjen e së dielës. Sipas Policisë, viktima ruhej gjatë gjithë kohës, pasi jo vetëm që përdorte të paktën 3 identitete, ai mbante një pistoletë me vete, por që nuk mund ta nxirrte dot, pasi autori e qëlloi nga një distancë e afërt. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se vrasja dyshohet se ka lidhje edhe me konfliktet e vjetra që kishte Renato Omeri. Dy vite më parë nipi i 37-vjeçarit, Endri Çaushaj bashkë me shokun e tij Ervin Kodra, janë vrarë me breshëri automatiku në një atentat të dyfishtë në mes të Durrësit. Dy pistat ku u përqendrua policia në atë kohë ishin prishja e pazareve të drogës dhe hakmarrja. Pikërisht edhe në këtë rast dyshohet se prishja e pazareve të drogës dhe hakmarrja mund të jenë shkak i atentatit që tronditi Vlorën, pasi vrasja u krye në një lokal pranë Lungomares.
Ngjarja
Policia e Shtetit bëri të ditur se rreth orës 21:15 është njoftuar së në një lokal në Lungomare ka pasur të shtëna me armë zjarri ku dyshohet se kishte një person të vrarë. Policia thotë se në drejtim të vendit ku u dha njoftimi kanë shkuar forca të shumta policie. Aty është konstatuar se Marjen Xhaferaj, i njohur edhe si Marjen Omeri, 37 vjeç, është qëlluar me armë zjarri, për pasojë ka ndërruar jetë. Sipas policisë viktima ka qenë në lokal i ulur me një tjetër person. Në drejtim të tij është afruar një person i cili e ka qëlluar me armë zjarri. Autori është larguar më këmbë mes pallateve. Policia thotë se ka ngritur menjëherë pika të shumta kontrolli dhe në ndihmë të Policisë së Vlorës për kapjen e autorit kanë ardhur Delta Forcë e FNSH. Policia thotë se vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. Sipas policisë në vendngjarje janë sekuestruar disa gëzhoja ndërsa disa metra më tutje është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë që dyshohet se ishte e Marjen Xhaferajt. Policia thekson se viktima ka ndërruar emër e mbiemër dhe rezulton me precedent kriminal. Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



