Eltar Deda i ALBPETROL jep 2.4 miliardë pa garë në tenderin “që mban erë”

Ish-deputeti socialist Eltar Deda është aktualisht administratori i shoqërisë shtetërore ALBPETROL SH.A. Duke qenë në këtë pozicion, nuk e ka aspak të vështirë të shpërdorojë fondet e shtetit nëpërmjet kryerjes së tenderave të dyshimtë.

Në rastin që do t’ju paraqesim sot, rezulton se ALBPETROL ka organizuar një tender me objekt “Zëvendësim i pjesshëm i tubacionit magjistral 6 nga Qendra nr. 17 Drenove deri në Dekantim Usoje”.

Fondi limit i tij është caktuar në shifrën 204,015,287 lekë të reja pa TVSH ose gati 2.5 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Tenderi në fjalë mban numrin e referencës REF-91395-12-18-2023. Nëse shfletojmë dokumentat e kësaj procedure zbulojmë se ku “fle lepuri”.

Shikohet se në garë kanë marrë pjesë vetëm dy garues, nga të cilët njëri ka marrë pjesë pa ofruar asnjë ofertë, pra zero lekë. Është e qartë se një skemë e tillë është përdorur që të fitojë garuesi tjetër i cili ka dhënë ofertë.

Dhe në fakt pikërisht kështu ka ndodhur. Fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “START CO” shpk në pronësi të Shupo dhe Anila Qëndro, “NDREGJONI” shpk në pronësi të Xhetan Ndregjoni dhe “VIBTIS” shpk në pronësi të Ardit Ismailaj, me vlerë oferte në total 199,983,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 2.4 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Nëse bëjmë raportin përkatës del se vlera fituese është sa 98% e fondit limit, duke e bërë këtë tender dhe Eltar Dedën të denjë për një hetim nga SPAK. Kujtojmë se Kontrolli i Lartë i Shtetit në një raport auditimi të bërë publik në vitin 2023, ka rekomanduar shkarkimin e tij nga detyra sepse me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka lejuar shkaktimin e një dëmi ekonomik prej miliona dollarësh.

Por çuditërisht Eltar Deda vazhdon të shpërdorojë i qetë paratë e shqiptarëve pa i hyrë gjemb në këmbë.

Publikuar nga Publik Media