Elvis Naçi, hoxha me emër rokeri që blen spitale dhe shet syze
Kur prindërit e Elvis Naçit, në vitin 1974, i vunë emrin djalit të tyre të porsalindur, ëndërronin gjithçka për të ardhmen e tij – përveç të qenit hoxhë. Rokeri i madh amerikan Elvis Presley, mbreti i rock-and-rollit ishte një legjendë e gjallë dhe emri Elvis ishte një trend botëror. E çuditshme sesi ky emër u lejua nga autoritetet e kohës por siç duket një valë liberalizmi kishte mbërritur pas valës së tmerrshme të revolucionit kulturor.
E përmenda këtë moment të jetës së Elvis Naçit pasi bash këtu duket sikur nis pjesa paradoksale e tij, qysh në ditën e emrit dhe pa dijen apo miratimin e tij. Ai moment duket shënjon të parin mes dhjetëra paradoksesh që gjejmë në jetën e tij të mëvonshme, sidomos pas viteve “90.
Po të kërkosh në google me emrin e Elvis Naçit të del website i tij. Një website i kuruar me stil, me grafika moderne e sponsorë kompani karburantesh, orësh apo argjendarësh. Në qendër të faqes, me gërma të mëdha kapitale shkruhet “Postimet e Elvis Naçit bëhen virale në 7 kontinente”. Pra edhe në Antraktidë, eksploratorët nuk rrinë dot pa fjalën e zotit të shqiptarit me emrin Elvis. Një mungesë modestie për të mos thënë një mendjemadhësi e fodullëk tipik prej gangsteri. Ndoshta e kanë vënë aty pa lejen dhe dijeninë e tij apostujt elvisianë.
Në biografinë 20 minutëshe që prezanton Hoxhën, gjen raste bamirësie ku skamnorë ekstremë e të pashpresë e falenderojnë Hoxhë Elvisin që u solli Zotin ose Zotin që u solli Hoxhë Elvisin. Pashë aty edhe Luka Modriçin (nuk mund të shmangej një yll botëror në prezantimin e Hoxhës tonë) që uronte një vajzë të vogël jetime për shërimin nga kanceri. Pastaj shfaqej familja e bukur e Hoxhës me gruan dhe tre fëmijët e tij, siç i quan klipi “të mrekullueshëm”.
Gjithçka ideale. Një yll televiziv dhe idhull mbarëkombëtar, një bamirës i sjellë nga zoti për varfërinë ekstreme të shqiptarëve dhe familjar i devotshëm, shembull morali e besnikërie . Në kohë të lirë ( besoj që mbetet fare pak kohë pasi të përmbushësh këto detyrime) përmbush edhe detyrimet fetare si hoxhë i Xhamisë së Tabakëve. Edhe aty është ndryshe. Unë kurrë nuk e kam pa Hoxhë Elvisin të mbajë çallmën e bardhë identifikuese mbi krye. Ai kurrë nuk përzihet me elementët ekstremistë të komunitetit mysliman.
Aq i madh ishte reputacioni i Hoxhë Elvisit sa që Kryeministri Rama e mori në krah të tij të djathtë kur ndodhi fatkeqësia e tërmetit. Ato ditë nuk merrej vesh kush ishte i pari, Kryeministri u detyrua të thoshte “Më akuzojnë mua për diktator por këta qenkan më keq se unë”.
Hoxhë Elvisi mori frenat e mbledhjes së fondeve dhe ia bëri të ditur Kryeministrit se nuk ka punë me ato para. Përmendi diku te 6 milionë e ca Euro të mbledhura dhe shpalli synimin për të mbërritur në 10 milionë dhe për tu fokusuar në zonën e Thumanës. Askush nuk pipëtiu. Kujt ia mbante të kundërshtonte…
10 milionë Euro janë shumë. Kryeministri ynë, zakonisht arrogant, u shushat nga arrogance bamirëse e Elvisit. Në gazeta pati edhe shkrime kundër Hoxhë Elvisit etj, për mungesë transparence në përdorimin e fondeve apo akuza për keqpërdorimin e tyre. Në atë kohë të vështirë e mora mundimin dhe shkrova në mbrojtje të Hoxhës tonë sharmant dhe kundër gazetarëve kundërshtues. Mendova se solidariteti ishte më i rëndësishëm sesa transparenca dhe akuzat. Mirëpo duket e paskam pasë gabim.
Gazetarë të tjerë, ndoshta për arsye të ndryshme nga të miat (nuk përjashtohet mundësia e nxitjes nga “bamirësit” rivalë), shkruajnë vazhdimisht për luksin e madh në të cilin jeton Hoxhë Elvisi
Për vilat luksoze, lëvizjet me eskortë, bizneset, dhe toka të pafundme nga Farka deri në bregdet. Për zero transparencën dhe shpenzimet e mëdha në imazh. Hoxhë Elvisi u bë nervoz dikur dhe i kujtoi gazetarit që edhe fondacione të tjera veprojnë njësoj (kjo në fakt mund të jetë shumë e vërtetë). Mirëpo nervozizmi i tij tregon bash të kundërtën, që akuzat e bëra ishin të vërteta.
Në këtë mes, për t’i vënë kapak muhabetit mendon vetë Hoxhë Elvisi. Në një postim në FB, dje, ai njofton hapjen e një biznesi okulistik me emrin pompoz Optika Elitare e Syrit. Aty ai premton që “nëse biznesi i ecën mbarë, me kismet do ndihmojë një të varfër t’i ndërtojë shtëpinë”….
Gazetaexpress.com
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



