Emërohen 28 hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit!
SPAK njofton se janë këta kandidatë, të cilët kanë përfunduar trajtimin baze. “SPAK dëshiron të urojë 28 kandidatët për hetues, të cilët përfunduan me sukses muajin e parë të trajnimit bazë dhe duke filluar nga java tjetër do të emërohen zyrtarisht si hetues të BKH-së.
Rrugëtimi i tyre filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë muajit Tetor 2020 dhe ka përfshirë teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës. Me përfundimin e kësaj faze të parë, ne presim me padurim që ata të vijojnë me sukses fazat e mëtejshme të trajnimit, të cilat do të përfshijnë: “Trajnimin për Armët, Sigurinë dhe Aftësitë e Mbijetesës”; Trajnimin me Drejtorinë Italiane të Hetimit dhe Antimafias (DIA); si dhe Trajnimin me Byronë Federale të Hetimit SHBA-ve (FBI). SPAK, gjithashtu ju uron sukseset më të mira të gjithë atyre shtetasve shqiptarë që kanë dorëzuar së fundi aplikimet e tyre për të qënë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”, thuhet në njoftimin e SPAK.
REAGIMI I AMBASADES AMERIKANE
Ndërkohë ka reaguar edhe ambasada amerikane, e cila në një njoftim teksa i uron suksese hetuesve të BKH, thotë se ata do të ndihmojnë për të cuar përpara reformën në drejtësi.
“Urime 28 hetuesve të sapoemëruar të BKH-së! Këta individë janë testuar dhe janë duke u trajnuar. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin këta individë, ndërsa ata ndërmarrin fazat e tjera të trajnimit të tyre dhe ndihmojnë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Ne i urojmë fat të mirë të gjithë atyre që kohët e fundit kanë dorëzuar aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



