EMRAT/ I riu u gjet i vdekur në bunker, arrestohet miku i tij, fshehu trupin
Mariglen Isufi është personi ndaj të cilit Policia e Tiranës i ka komunikuar masën e arrestit me burg lidhur me rrethanat e vdekjes se mistershme të Ilir Markut.
Ky i fundit u gjet i pajetë brenda një bunkeri në zonën e Institutit të Mërkurën. 28 vjeçari Isufi akuzohet nga policia për veprën penale “fshehje të kufomës”, ndërsa hetimet zbuluan se, bashkë me Ilir Markun kanë qenë në afërsi të bunkerit, ditën para se të gjendej trupi ku kanë konsumuar lëndë narkotike.
Dyshohet se Isufi jo vetëm ka patur dijeni për vdekjen e të riut nga mbidoza, por edhe e ka zhvendosur trupin disa metra nga vendi ku kanë qëndruar së bashku, për në brendësi të bunkerit.
Ai e ka fshehur ngjarjen me frikën se do të arrestohej nga policia, teksa kjo e fundit ra në gjurmët e tij, pas provave që mblodhi qoftë në vendin e ngjarjes, por edhe nga dëshmitë e të njohurve të cilët rrëfyen se të dy njiheshin për shoqërinë me njëri-tjetrin dhe konsumimin e lëndëve narkotike.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Fshehu në një bunker trupin e shokut që kishte ndërruar jetë duke penguar zbulimin e të vërtetës, vihet në pranga 29-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
– M. I., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e dë vërtetës”.
Sipas veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi M. I., është lidhje shoqërore me shtetasin I. M., 36 vjeç, i cili u gjet ditën e djeshme, në një bunker, pa shenja jete dhe pa shenja dhune.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, më datë 17.04.2022, kanë qenë duke konsumuar lëndë narkotike, dhe shtetasi I. M., ka gjetur vdekjen, ndërsa shtetasi M. I., ka transportuar trupin e të ndjerit në bunker, duke kryer veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



