EMRAT/ Kush janë shqiptarët e arrestuar në Ekuador
Nga financimi te shpërndarja në Europë
Një operacion i gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të drogës ka çuar në goditjen e një organizate kriminale të lidhur me mafian shqiptare, e cila vepronte në disa provinca të Ekuador, duke përdorur portet e vendit për të dërguar kokainë drejt tregut europian.
Sipas raportimeve të medias ekuadoriane EXPRESO, gjatë operacionit të koduar “Costa” u arrestuan 16 persona, mes tyre 4 gra dhe 12 burra, ndërsa në total u kryen 26 kontrolle në qytetet Guayaquil, Machala, Quito dhe Milagro.
Mes të arrestuarve ndodhet edhe ish-deputeti i provincës El Oro, Jorge Salomón Fadul Franco, i cili dyshohet se ishte pjesë e mekanizmit që lehtësonte transportin e drogës drejt Europës përmes kompanive eksportuese.
Autoritetet njoftuan se gjatë hetimit u sekuestruan në total 7.4 ton kokainë, me një vlerë të përllogaritur në tregun europian prej 346 milionë dollarësh. Nga kjo sasi, 3.7 ton u kapën në Holandë, 3.2 ton në Belgjikë, ndërsa 572 kilogramë u sekuestruan në Ekuador, çka çoi në nisjen e hetimit.
Hetimet për këtë rrjet nisën në tetor të vitit 2024, pas një operacioni policor në zonën Barbones të provincës El Oro, ku policia zbuloi një sasi të madhe kokaine të fshehur në një ngarkesë. Nga ky moment u identifikua një strukturë kriminale që dyshohet se kishte lidhje me shtetas shqiptarë nën hetim në disa vende të Europës.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me agjenci ndërkombëtare si Europol dhe Drug Enforcement Administration, si dhe me autoritetet e Belgjikës dhe Holandës. Sipas ministrit të Brendshëm të Ekuadorit, John Reimberg, rrjeti funksiononte si një strukturë e mirëorganizuar me role të ndara për grumbullimin e drogës, përpunimin, logjistikën e transportit dhe menaxhimin financiar.
Sipas hetimeve, droga fshihej brenda kontejnerëve me mallra eksporti të ligjshëm dhe dërgohej nga portet ekuadoriane drejt Europës përmes kompanive të regjistruara zyrtarisht, të përdorura si mbulesë për aktivitetin kriminal.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan gjithashtu mbi 800 mijë dollarë para të gatshme, shufra dhe bizhuteri ari, 14 automjete luksoze, 20 telefona celularë si dhe 6 armë zjarri.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar edhe shtetas shqiptarë në Europë, të cilët dyshohet se kishin rolin e financuesve dhe organizatorëve logjistikë të rrjetit. Sipas hetimeve, një nga financuesit kryesorë në Europë dyshohet të jetë Donald Lalaj, ndërsa Mario Gjeci, Klejdi Naci dhe Jurgen Mecalliu dyshohet se merreshin me grumbullimin, shpërndarjen dhe shitjen e kokainës në tregun europian.
Autoritetet e Ekuadorit kanë theksuar se operacioni “Costa” përbën një nga goditjet më të rëndësishme ndaj një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës të lidhur me mafian shqiptare. Hetimet vijojnë për të zbuluar shtrirjen e plotë të organizatës, degëzimet e saj financiare dhe përgjegjësit individuale të personave të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



