EMRI/ 4 muaj pas zhdukjes, gjendet e pajetë shqiptarja në Itali
Pas katër muajsh kërkimesh dhe pasigurie, është gjetur pa shenja jete në Itali 35-vjeçarja shqiptare Floresha Prengu, e cila ishte shpallur e zhdukur që prej muajit tetor. Trupi i saj u zbulua në zonën e Trentos, përgjatë lumit Adige, rreth 40 kilometra larg banesës ku jetonte.
Floresha ishte parë për herë të fundit më 22 tetor, në qendër të qytetit, ditën kur u largua nga shtëpia herët në mëngjes për të shkuar në punë. Ajo nuk u kthye më, duke ngritur shqetësim të menjëhershëm te familjarët. Bashkëshorti i saj ishte ai që njoftoi autoritetet, pasi 35-vjeçarja nuk ishte kthyer në orarin e zakonshëm të pasdites.
Menjëherë pas sinjalizimit, policia italiane organizoi një operacion të gjerë kërkimi, që përfshiu forca zjarrfikëse, zhytës, ekipe shpëtimi dhe mjete ajrore, duke kontrolluar zona malore dhe shtratin e lumenjve.
Floresha Prengu, nënë e dy vajzave të mitura, punonte si pastruese në disa pallate dhe, sipas familjarëve, kishte kaluar një periudhë të vështirë emocionale për shkak të humbjes së të atit pak kohë para zhdukjes. Ditën që u largua nga shtëpia, ajo kishte marrë me vete vetëm telefonin celular.
Të afërm, miq dhe bashkëshorti i saj kanë deklaruar vazhdimisht se 35-vjeçarja ishte shumë e lidhur me fëmijët dhe se nuk do t’i kishte braktisur kurrë me dëshirën e saj. Sipas tyre, ajo nuk kishte shfaqur asnjëherë shenja të ndonjë problemi shëndetësor apo shqetësimi serioz.
Trupi i pajetë është identifikuar nga familjarët, ndërsa autoritetet italiane nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi shkaqet e vdekjes apo rrethanat e sakta të ngjarjes. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht atë që ndodhi me 35-vjeçaren shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



