EMRI/ Plagosi në Tiranë, kush është i riu që u arrestua në Dibër. Kur ishte në Itali…
Para një muaji tentoi të vriste një 26- vjeçar në Tiranë, kapet i kërkuari. Policia e Dibrës ka vënë në pranga një 29-vjeçar, i cili prej 21 prillit ishte në kërkim për “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë”.
I arrestuari është Aleks Mera, 29 vjeç, banues në Bulqizë. Zyrtarë të Policisë thanë se 29-vjeçari më datë 21 prill të këtij viti, në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të disa magazinave, gjatë një konflikti dyshohet së në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë ka plagosur me armë zjarri shtetasin Elson Murataj.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien para përgjegjësisë ligjore për veprat e kryera, ndaluan shtetasin A.M., 29 vjeç, banues në Bulqizë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje me dashje, mbetur në tentativë’, ‘Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake’.
I arrestuari, Aleks Mera
Ky shtetas, më datë 21.04.2019, në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të disa magazinave, gjatë një konflikti dyshohet se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë ka plagosur me armë zjarri shtetasin E.M. Veprimet e mëtejshme do të kryhen nga DVP Tiranë”, saktëson Policia.
Ende nuk dihen shkaqet që çuan në përplasjen e dy të rinjve në zonën e Fushë-Mëzezit në Tiranë, ndërkohë që Policia vijon kërkimet për kapjen e dy bashkëpunëtorëve të 29- vjeçarit. Nga hetimet e deritanishme rezulton se të rinjtë janë përplasur për shkak të një konflikti të momentit.
NGJARJA
Një 26-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri në rrethana të paqarta në zonën e Mëzezit, në Tiranë. Elson Murataj u dërgua në Spitalin e Traumës pasi mori një plumb në këmbë. “Rreth orës 18:35 ka shkuar për ndihmë mjekësore në spital shtetasi E.M., 26 vjeç, jashtë rrezikut për jetën, i cili është plagosur në këmbë me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, në rrugën ‘Asdreni’ në FushëMëzez, Kashar. Shërbimet e Policisë po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, bëri të ditur Policia lidhur me ngjarjen.
Murataj rezulton i dënuar dy herë nga Gjykata e Tiranës. Në 2013-n ai u arrestua, pasi ishte shpallur person në kërkim për plagosjen e një 16-vjeçari, në një lokal në zonën e Fushë-Mëzezit. Ngjarja kishte ndodhur më 21 dhjetor të vitit 2012. Pas arrestimit nuk u provua autorësia e tij në plagosje, ndërsa Gjykata e dënoi vetëm për armëmbajtje pa leje. Ndërsa më datë 20 prill 2014, Murataj u arrestua sërish sepse u ndalua nga punonjësit e patrullës së Policisë së Komisariatit Nr.6 me mjetin tip “Volskvagen”, me targë AA 929 IZ, pa leje drejtimi.
U arrestua në Itali për dhunë ndaj karabinierëve
I riu nga Bulqiza, përveç plagosjes në Shqipëri, rezulton se është përfshirë dhe në një incident të ndodhur në Itali para 5 vitesh në Napoli. Karabinierët i bënë thirrje të ndalonte, por Aleks Mera shtoi shpejtësinë e makinës në përpjekje për t’ia mbathur. Pas një ndjekjeje të shkurtër, karabinierët e bllokuan makinën e tij.
Ai, në vend që të dorëzohej, filloi të godiste me grushte e shkelma karabinierët, të cilët pasi e neutralizuan me dhunë, i vunë prangat. Gjatë kontrollit të banesës së Aleksit u gjet një kartë identiteti dhe një leje drejtimi makine e falsifikuar. Aleksi akuzohet për drejtim makine pa patentë, falsifikim dokumentesh zyrtare dhe goditje e personit për shkak të detyrës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



